Publicisti Baton Haxhiu thotë se Kosova në këtë dhjetë vjet si shtet ka një dashuri të njeriut të saj, ndërsa jetohet më mirë dhe më qëndrueshëm.
Ai pohon se ndjenja e lirisë në këtë dekadë të pavarësisë është se Kosova kurrë më nuk mund të kthehet ndryshe, në pikën kur qytetarët e saj ishin me mungesën e ndjenjës së shtetit dhe me ndjenjën se dikush mund t’i sundojë.
“Në 10 vjet, kemi bërë një përpjekje për shtet-ndërtim. Kemi qenë të kufizuar për shumëçka. Kemi qenë edhe me ndërgjegje, por edhe pa të ndonjëherë. E kemi pasur peshën e presionit të Evropës dhe Amerikës për kompromise, kemi pasur peshën e pasigurisë që na vjen nga shtetet përreth. Por, përcaktimi ynë është evropian dhe me përcaktimin evropian ndonjëherë disa gjëra edhe duhet të tolerohen”, thotë Haxhiu.
“E rëndësishme është paqja. E rëndësishme është që kurrë të mos ketë luftë, sepse lufta është e rëndë. E rëndësishme është që njerëzve t’u jepet arsim dhe shëndetësi e mirë, dy pikat që e ruajnë substancën njerëzore në Kosovë. Dhe natyrisht, njerëzit duhet të kenë shpresë”, shton ai.
Haxhiu është shprehur se shteti i Kosovës nuk ka kthim prapa, ashtu siç liria nuk ka kthim prapa, ndërsa ka pohuar se idetë e bashkimit të shqiptarëve janë të kryera.
“Mendoj që rrugët bashkimit më janë të qarta, janë vetëm disa finesa që na ndalin. Idetë e bashkimit të shqiptarëve janë të kryera, përveç që nuk janë kryer formalisht”, thotë ai. /Telegrafi/