Do bëhet Qeveria, s’do bëhet Qeveria; do të mandatohet ky, do mandatohet ai; po blihen deputetët, s’po blihen deputetët… dhe një bingo e madhe për atë që interpreton interpretimin e Kushtetueses!
Po, po. Po të kisha bastoren time, koeficientin më të lartë do të kishte interpretimi i interpretimit të Kushtetueses. Kjo po që është një sfidë e vërtetë, pasi ai që do të vinte këtë bast do të duhej të dinte si të thoshte diçka për të mos thënë asgjë! Të shpikte një interpretim për të ç’orientuar sa më shumë masën; të gjente një interpretim të cilin gjithkush të mund ta (ri)interpretonte sipas dëshirës dhe nevojës.
Kuptohet, bastin e luajti presidentja të cilin e qëlloi – ashtu si qëllonte gjithmonë në shenjë gjatë ushtrimeve me armë, atëbotë kur ishte police.
Bastet e radhës, rezultatet e të cilave të gjithë po i presim me ankth, janë ndarjet e ministrive. Kuptohet, basti më i lehtë – PDK-ja do të ofronte çkado, post apo ministri, vetëm që të mbetët në pushtet. Ndërsa, po të kemi parasysh lëmshin aktual politik, e si rezultat rrezikshmërinë për të vënë bast, bastet tjera do kishin koeficientin 30.
Në një botë paralele ku profesionalizmi, rregullat dhe parimet janë pjesë e politikëbërjes, bastet e këtilla do të ishin shumë të lehta. Kjo për shumë arsye.
Fillimisht, do të ishte i ditur fakti që ministrat duhet të jenë profesionistë dhe jo vetëm militantë e besnikë të partisë. Pavarësisht vullnetit të kryeministrit për t’i çuar proceset përpara, nëse ministrat nuk janë të ngritur intelektualisht dhe të përgatitur profesionalisht, do t’i shkaktonin vendit shumë dëm.
E, kur flasim për ministra të ngritur e të aftë profesionalisht, nuk duhet t’ju referohemi inflacionit të diplomave, certifikatave, e mirënjohjeve të cilat çdo person mund t’i ketë me bollëk sot. Aman, kemi pasur fat(keqës)in të kemi alamet doktorësh me tituj në Kuvend, kryesisht të diplomuar në universitete “hije” në Zvicër e në dreq të mallkuar, të cilët mezi arrijnë t’i artikulojnë fjalët e lëre më të japin një intervistë. Përfaqësues të popullit në Kuvend të cilët pos tjerash kanë marrë asistencë sociale në vende të Perëndimit si të paaftë mendor. Hajde shtet, hajde!
Andaj, kjo puna e diplomave nuk pi ujë.
Në vend të militantëve e besnikëve të partisë të cilët jo domosdoshmërisht kanë përgatitjen e duhur për të udhëhequr një Ministri, në një univers paralel, do të duhej të dëshmohet se çka ka udhëhequr personi, çfarë rezultate ka sjellë dhe çka ka krijuar në jetë.
Të gjitha këto principe në një botë paralele do t’i bënin bastet aq të lehta sa që do ta devalvonin e do ta falimentonin bastoren tonë politike!