Site icon Telegrafi

Bastisjet e djeshme, Prokuroria: Hetohen 14 persona, 10 persona janë në paraburgim

Prokuroria Publike Themelore ka dalë me njoftim për bastisjet e djeshme ku u arrestua njëri nga pjesëtarët e një grupi kriminel – Rade Trajkovski Shteklli.

Bëhet e ditur se nën udhëheqjen e prokurorit të Prokurorisë Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit dhe në koordinim me Ministrinë e Punëve të Brendshme, në rajonin e qytetit të Shkupit janë realizuar një sërë bastisjesh në 20 vende në Shkup dhe një në Gjevgjeli.

Gjithashtu njoftohet se gjatë bastisjeve janë gjetur dhe marrë disa pajisje që lidhen me shitjen ilegale të drogës dhe substancave narkotike.

“Nga liria janë privuar 10 persona, për të cilët ekziston dyshimi i bazuar se janë anëtarë të grupit kriminel, i cili për një periudhë të gjatë kohore ka kryer vepra penale në fushën e tregtisë së palejuar me drogë dhe me lëndë narkotike. Të dyshuarit – anëtarët të grupit kriminel, kanë shpërndarë dhe kanë organizuar shitje rrugore të lëndëve narkotike drejtpërdrejt me përdoruesit. Duke vepruar në bazë të kallëzimit penal të parashtruar nga MPB, prokurori publik ka dhënë urdhër për realizimin e procedurës hetuese kundër 14 personave për të cilët ekziston dyshimi i bazuar se kanë kryer veprën penale – prodhim i paautorizuar dhe lëshim në shitje të drogës, substancave psikotrope dhe prekusorëve”, thuhet në njoftimin e PPTh-së.

Si pasojë, 10 personave u janë shqiptuar masa e paraburgimit. Njëri nga të arrestuarit tashmë ndodhet në paraburgim, kurse tre prej tyre janë të paqasshëm për organet e rendit.

Nga PPTh bëjnë të ditur se aktivitetet për këtë aksion ende vazhdojnë. /tv21

Exit mobile version