Telegrafi

Bastisje në Qendrën Korrektuese në Dubravë, gjenden 61 qese të vogla me substancë narkotike

Shërbimi Korrektues i Kosovës ka njoftuar se sot rreth orës 11:00 në Qendrën Korrektuese në Dubravë, gjatë një bastisje nga Departamenti i Sigurimit në Zonën Industriale në pjesën perëndimore afër murit, përafërsisht 10 metra në brendësi të Zonës është gjetur një qese e mbushur me substancë te dyshuar narkotike.

Pas hapjes së qeses së dyshuar, brenda saj ishin vendosur 61 qese në sasi të vogla, të mbështjella veç e veç , të cilat dyshohet se janë substancë narkotike.

“Qesja me sasi të dyshuar narkotike, dyshohet se është hedhur mbi muri nga pjesa e jashtme. Vlen të theksohet se kontrabanda e gjetur është parandaluar të futet brenda zonës së banuar”, thuhet në njoftim.

Shërbimi Korrektues i Kosovës mbetet i përkushtuar në luftimin kontrabandës brenda institucioneve korrektuese dhe asnjëherë nuk do të qëndroj duarkryq përballë këtyre dukurive negative të cilat rrezikojnë rendin dhe sigurinë e saj. /Telegrafi/