Site icon Telegrafi

Bastisje në burgun e Gjilanit, në minifrigoriferin që ia sollën të burgosurit gjendet një telefon

Shërbimi Korrektues i Kosovës bën të ditur se të enjten rreth orës ‪‪13:00 në Qendrën e Paraburgimit në Gjilan, pas informacioneve konfidenciale, oficerët korrektues kanë arritur të parandalojnë futjen e kontrabandës në QP Gjilan.

“Me të pranuar informacionin, oficerët korrektues në vazhdimësi të Planit Operativ për bastisje të qëllimta, bazuar në informatën konfidenciale, kanë bërë bastisjen e një minifrigoriferi, i cili ishte sjellë nga familjarët e një të burgosuri”, thuhet në njoftim.

“Bastisja ka rezultuar pozitive, në derën e minifriforiferit në një pjesë të kamufluar është gjetur një telefona mobil i tipit “Samsung” dhe një karikues”.

Pas intervistimit të të paraburgosurit, i njëjti deklaron se “telefonin e ka montuar në frigorifer deri sa ka qenë në liri, pasi që i njëjti e ka ditur se do të vijë në burg”.

Lidhur me këtë rast, i burgosuri është veçuar deri në hetimin e rastit dhe ndaj tij është iniciuar procedura disiplinore.

Shërbimi Korrektues i Kosovës thotë se mbetet i përkushtuar në luftimin e dukurive negative dhe kontrabandës nëpër institucionet korrektuese dhe ato të paraburgimit, njofton Telegrafi.

Exit mobile version