Kryetari i OVL-UÇK-së në Malishevë, Metush Kryeziu, njëherësh ish-luftëtar ka konfirmuar se sot është bastisur shtëpia e ish kryetarit të kësaj komune, Isni Kilaj nga Gjykata Speciale.
Kryeziu përmes një statusi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se është i indinjuar me akte të tilla.
“Të indinjuar me aktet e tilla qyqare. Në vazhdën e këtyre bastisjeve, pjesëtarë të EULEXIT në mëngjesin e sotëm vazhduan me bastisjen e shtëpisë të komandantit Isni Kilaj. Çka po ndodhë? Pse po targetohet një grup i njerëzve dhe ai grup i cili është i afërt me Thaçin? Tashmë kjo gjykatë në mungesë të fakteve po bënë spektakël. Turp! “, ka shkruar Kryeziu.
Edhe nga Prokuroria Speciale kanë konfirmuar se janë duke u kryer bastisje në vend.
Zëdhënësi i Prokurorisë së Specializuar, Christopher Bennett, tha për Telegrafin se Specialja është duke kryer operacione të vazhdueshme me mbështetjen e Policisë së Kosovës dhe EULEX-it.
Ndërkaq, të mërkurën është bastisur edhe shtëpia e Ismail Sylës, ish-këshilltar i presidentit Hashim Thaçi, me ç’rast i është konfiskuar telefoni.
Ndërsa të martën është bastisur shtëpia e Artan Behramit, poashtu ish-këshilltar i Thaçit si dhe shtëpia e prindërve të tij.
Bastisjet që ndërlidhen me proceset gjyqësore që po kryhen në Hagë, ditëve të fundit janë kryer edhe tek shtëpitë e ish-këshilltarit të Hashim Thaçit, Blerim Shalës dhe ish-shefit të AKI-së, Bashkim Smakajt.
Ndryshe, zyra e Prokurorit të Specializuar, ka nisur me disa bastisje që ndërlidhen me proceset gjyqësore që po kryhen në Hagë. /Telegrafi/