Nga: Alex Rogers, Stephen Morris dhe Kana Inagaki / The Financial Times
Përktheu: Agron Shala / Telegrafi.com
Ndër bastet e shumta të guximshme që kanë shënuar karrierën e Elon Muskut, pak prej tyre kanë qenë më të guximshme sesa ky që tani ai po bën për Donald Trumpin.
Nga satelitët te automjetet elektrike, nga çipat e trurit deri te robotët e fuqizuar nga inteligjenca artificiale, Musku zotëron një sërë biznesesh të cilat varen shumë nga kontratat dhe rregullat e përcaktuara nga qeveria federale.
Megjithatë, në zgjedhjet që shumica e analistëve politikë i shohin si një lojë fati, njeriu më i pasur në botë ka lidhur reputacionin dhe pasurinë e tij me përpjekjen e fundit të Trumpit për t’u kthyer në Shtëpinë e Bardhë.
Duke folur këtë muaj me Tucker Carlsonin, ish-prezantuesin kontrovers të Fox TV-së, Musku bëri gjysmë shaka kur dha këtë mendim për Trumpin: “Nëse ai humbet, m’u ka q… puna”!
Ndërsa zgjedhjet po hyjnë në fazën përfundimtare, mbështetja e Muskut ndaj fushatës së Trumpit po bëhet gjithnjë e më e ngushtë.
U zbulua këtë javë se Musku ka dhuruar të paktën 75 milionë dollarë për grupin e tij pro-Trump, America Pac, që tashmë ka shpenzuar më shumë se 118 milionë dollarë në përpjekje për të mbështetur fushatën, duke përfshirë reklamat, tabelat dhe veprimet derë më derë.
Kur Trump mbajti një tubim dy javë më parë në Batlër të Pensilvanisë – vendi ku në korrik u tentua vrasja e tij – Musku ishte miku befasues, duke hyrë në skenë si një fëmijë i emocionuar.
Musk ka përdorur X-in, rrjetin social që zotëron, për të shpërndarë përmbajtje pro-Trump, përfshirë disa nga teoritë më të çuditshme të konspiracionit që kanë marrë mbështetje nga e djathta.
Të enjten, Musku u rikthye në Pensilvani – shteti më i rëndësishëm në zgjedhje – për të bërë vetë fushatë për Trumpin. Gjatë tubimit një orësh, ai mbante kapelën me mbishkrimin “Bëje Amerikën sërish të madhe” [Make America Great Again] dhe dha disa të dhëna për arsyet e tij biznesore për mbështetje të plotë ndaj Trumpit – një politikan që deri vonë ishte shumë skeptik ndaj automjeteve elektrike.
Musk tha se arsyeja më e madhe për mbështetjen e Trumpit ishte nevoja për “rregullore të arsyeshme”, duke pretenduar se “SpaceX mund të ndërtojë një raketë gjigante më shpejt sesa qeveria mund të përpunojë licencën, gjë që është një çmenduri”. Ai shtoi: “Nëse nuk ndryshon trendi aktual i shtrëngimit nga rregulloret, nuk do të arrijmë kurrë në Mars”.
Pronari i Tesla-s, SpaceX-it, xAI-së dhe X-it ka aspirata për të modeluar të ardhmen e njerëzimit – një çip të Neuralink-ut në tru, një robot në shtëpi, një makinë pa shofer për të shkuar në punë, një raketë për të kolonizuar Marsin. Basti i Muskut duket se është ky: nëse Trumpi fiton, ai do të fitojë ndikim të konsiderueshëm mbi mënyrën se si qeveria trajton kompanitë e tij.
Basti do të paguhet nëse SpaceX-i dhe satelitët e tij Starlink mund të fitojnë më shumë kontrata nga aparati i sigurisë kombëtare të ShBA-së ose nëse Tesla mund të bindë republikanët skeptikë për automjetet elektrike – dhe ndoshta të kufizojë hetimet e rregullatorëve për sigurinë e teknologjisë së tij të vetëdrejtimit. Dhe, nën Trumpin, X-i do të kishte shumë më pak gjasa të përplasej me Administratën për konceptin absolut të Muskut për “lirinë e fjalës”.
Trumpi ka premtuar se, nëse fiton, Musk do të udhëheqë një “departament të efikasitetit qeveritar.”
Për kritikët e Muskut, mbështetja e Trumpit është një zgjatim i përplasjeve të tij të gjata me organet publike, vendimet e të cilave janë thelbësore për industritë inovative ku vepron Musku.
“Rregullatorët kanë qenë pengesë për Tesla-n për vite me radhë”, thotë Dan O’Dowd, themelues i një kompanie softuerësh, i cili gjithashtu kritikon përpjekjet e Tesla-s për automjetet pa shofer. “Musku beson se ai është mbi ligjin”.
Musku dhe Trumpi dikur ishin në anë të kundërta politike. Teksa ish-presidenti shpesh e ka përshkruar ndryshimin e klimës si “mashtrim”, Musku më parë mburrej se misioni i Tesla-s ishte “të ndihmojë në reduktimin e rrezikut të ndryshimit katastrofik të klimës”.
Sipërmarrësi miliarder votoi për Joe Bidenin, Hillary Clintonin dhe Barack Obaman në zgjedhjet e kaluara. Madje, në vitin 2022, mendoi se ishte “koha që Trumpi të largohej dhe të dilte në pension”.
Por, gjatë muajve të fundit, Musku jo vetëm që është bërë mbështetësi më me ndikim i Trumpit, por gjithashtu ka përqafuar disa nga retorikat e tij më shpërthyese – duke përfshirë pretendimin se nënpresidentja Kamala Harris do ta bënte ShBA-në një shtet me një parti të vetme – duke i kthyer emigrantët ilegalë në demokratë. “Nëse Trumpi nuk fiton, këto janë zgjedhjet e fundit”, tha Musku të enjten.
Ndryshimi i Muskut filloi gjatë pandemisë. Ai zgjodhi të merrte vaksinën kundër koronavirusit, por ishte skeptik ndaj kërkesave të qeverisë për vaksinimin e punonjësve dhe kontraktorëve federalë. Musku gjithashtu u bë gjithnjë e më shumë kundërshtar ndaj kulturës së “zgjimit” [woke] në të majtën dhe pati një përplasje publike me vajzën e tij transgjinore.
Trevor Traina, një donator i Trumpit që shërbeu si ambasador i ShBA-së në Austri gjatë presidencës së tij, sugjeron se Musku po merr pjesë drejtpërdrejt në politikë, për arsye personale dhe jo komerciale. “Si njeriu më i pasur në botë, Eloni nuk ka nevojë për asgjë. Thjesht po përfshihet”, thotë Traina.
Musku gjithashtu ka pasur përplasje me administratën Biden. Gjatë vitit të parë të Bidenit në detyrë, drejtori ekzekutiv [CEO] i Tesla-s, i cili ka një histori të gjatë kundërshtimi ndaj sindikatave të punës, u ndje i anashkaluar kur nuk u ftua në një aktivitet të Shtëpisë së Bardhë me prodhuesit amerikanë të automjeteve elektrike dhe me sindikatën e punonjësve të industrisë automobilistike.
Në atë aktivitet, Bideni lavdëroi Mary Barran, CEO-n e General Motors – q; shet më pak se një të pestën e automjeteve elektrike, krahasuar me Tesla-n – duke i thënë asaj: “Ti e elektrizove gjithë industrinë automobilistike. Seriozisht e kam. Ti udhëhoqe dhe kjo ka rëndësi”.
“Ai kurrë nuk e ka harruar këtë”, thotë një ish-ekzekutiv i lartë i Tesla-s.
Për Tesla-n, rreziku i përfshirjes së Muskut në zgjedhje është se ai mund të largojë klientët natyralë të kompanisë. Sipas organizatës hulumtuese Pew Research, vetëm 13 për qind e republikanëve thonë se ka gjasa të konsiderojnë seriozisht blerjen e një automjeti elektrik, krahasuar me 45 për qind të demokratëve.
Vetë Trumpi nuk ka qenë aleat i Tesla-s; këtë javë, ai e nisi një fjali në Fox duke thënë “Problemi me automjetet elektrike”, përpara se ta ndërpriste veten duke vënë në dukje se “Elon Musk është një mik shumë i mirë i imi”.
“Është një strategji me rrezik të lartë dhe shpërblim të lartë. Mendoj se nëse Trumpi fiton, ai duket si gjeni. Nëse Trumpi dështon, nuk duket aq i zgjuar”, thotë Andrew Palmer, ish-shefi ekzekutiv i Aston Martin-it. “Kur them se shumica e njerëzve admirojnë atë që bën, mendoj se ekziston rreziku që kjo të nxisë njerëzit të kërkojnë alternativa ndaj Tesla-s”.
Megjithatë, disa nga rivalët e Muskut në Luginën e Silikonit [Silicon Valley] spekulojnë se qëllimet e tij rreth Tesla-s janë më afatgjata.
Ata thonë se Musku është i vetëdijshëm se biznesi kryesor i Tesla-s është gjithnjë e më shumë nën kërcënim nga automjetet më të lira elektrike kineze dhe nga teknologjia e avancuar e baterive. Kompania nuk ka lëshuar një produkt të ri për tregun masiv që nga Model Y në vitin 2020 dhe mbetet e paqartë se kur do të lansohet automjeti i planifikuar më i përballueshëm prej 25 mijë dollarësh.
Në vend që të lëshojë makina të reja – shitjet e të cilave ende përbëjnë katër të pestat e të ardhurave të Tesla-s – Musku e ka udhëhequr kompaninë drejt drejtimit autonom, robotaksit dhe robotëve humanoidë të fuqizuar nga inteligjenca artificiale të quajtur Optimus.
Miliarderi paraqiti vizionin e tij shkencor për të ardhmen në një prezantim “Ne, robotët” [We, Robot] të mbajtur javën e kaluar në një studio filmi në Los Anxhelos. Robotët që kërcenin dhe taksi i artë kibernetik mahnitën fansat, por ishin detaje të cekëta të cilat zhgënjyen investitorët. Aksionet ranë me nëntë për qind.
Duke përdorur vlerësimet e zakonshme të industrisë, Drew Dickson, themelues i kompanisë Albert Bridge Capital, vlerëson se biznesi i automjeteve të Tesla-s mund të vlejë midis 70 miliardë dhe 100 miliardë dollarë. Sipas llogaritjeve të tij, kjo do të thotë se pjesa tjetër e vlerës së tregut prej 650 miliardë dollarësh – dhe deri në 90 miliardë nga pasuria personale e Muskut – bazohet kryesisht në optimizmin e investitorëve për teknologjitë e tij ende të paprovuara, të cilat që të gjitha përballen me sfida të mëdha rregullatore para se të dalin në treg.
“I gjithë prezantimi u bë në një sheshxhirim filmash, kështu që ishte e vështirë për vëzhguesit të dinin se çfarë ishte e vërtetë apo jo”, thotë Dickson, i cili parashikon rënie të aksioneve të Tesla-s. “Një gjë që Elon di ta bëjë jashtëzakonisht mirë është kjo: të shpërqendrojë njerëzit nga thelbi i një biznesi që ngre shumë dilema”.
Nëse Trumpi fiton, Musk mund të shpresojë që Tesla do të fitojë simpati nga qeveria federale. Aktualisht, Administrata Kombëtare për Sigurinë e Trafikut në Autostrada [NHTSA], Departamenti i Drejtësisë dhe Komisioni për Letrat me Vlerë, janë duke hetuar pretendimet e Tesla-s për sistemet e saj të ndihmës për drejtuesit.
Të premten, NHTSA-ja njoftoi se ka hapur një hetim të ri për Tesla-n, pasi një automjet me teknologjinë e saj “vetëdrejtuese” përplasi për vdekje një këmbësor.
Musk premtoi para të pranishmëve se automjetet vetëdrejtuese do të jenë të disponueshme në Teksas dhe Kaliforni nga viti i ardhshëm dhe taksitë robotikë do të dalin në rrugë deri në vitin 2027, por që të dy këto kanë nevojë që Tesla të sigurojë të paktën klasifikimin e ashtuquajtur “Niveli 4, Automatizimi i Lartë” dhe një leje nga rregullatorët shtetërorë – më shpejtë sesa çdo rival ka arritur deri më tani.
Procesi i mori vite të tëra Waymo-s së Google-it dhe kërkonte që taksitë e saj të ishin të pajisura me një gamë më të gjerë sensorësh të shtrenjtë – përfshirë lidarin, një teknologji për zbulimin e objekteve me laser. Teknologjia “vetëdrejtuese” e Tesla-s mbështetet vetëm te kamerat dhe aktualisht renditet si nivel i avancuar 2, që do të thotë se shoferët duhet të mbajnë duart në timon.
“Prirem të jem paksa optimist për afatet kohore”, pranoi Musk në ngjarje.
Një ndër kompanitë e Muskut, SpaceX, mund të përfitojë më shumë nga marrëdhënia e ngushtë me një president amerikan. Analistët nga Morgan Stanley parashikojnë që të ardhurat e kompanisë mund të trefishohen në 63 miliardë dollarë deri në vitin 2030, kryesisht nga Starlink-u – biznesi i internetit satelitor, i cili operon me një rrjet prej gjashtë mijë satelitësh në orbitë të ulët. SpaceX tashmë ka tejkaluar 100 lansime në këtë vit.
Në vitin 2014, SpaceX paditi Forcën Ajrore të ShBA-së për përfshirje në biznesin e lëshimeve dhe që atëherë është bërë partner i pazëvendësueshëm i NASA-s për furnizimin dhe së shpejti pensionimin e Stacionit Ndërkombëtar të Hapësirës dhe dërgimin e astronautëve në Hënë.
Megjithëse SpaceX ka fituar kontrata me vlerë miliarda dollarë nën administratën Biden, ajo gjithashtu ka pasur përplasje me një sërë autoritetesh federale dhe shtetërore, të cilët Musku i akuzon për pengimin e inovacionit me rregulla dhe burokraci.
Këtu përfshihen Administrata Federale e Aviacionit [FAA], Bordi Kombëtar i Marrëdhënieve të Punës [NLRB] dhe Shërbimi i Peshqve dhe Kafshëve të Egra të ShBA-së, për shkelje të pretenduara për lejet, punën dhe mjedisin. Musku ka kërkuar dorëheqjen e shefit të FAA-së, ka paditur NLRB-në dhe ka tallur rregullatorët duke pretenduar se i duhet një leje për peshkim për të lëshuar një raketë.
Musku gjithashtu është përplasur me Komisionin Federal të Komunikimeve [FCC]. Kompania ka nevojë për miratimin e FCC-së për të ulur edhe më shumë orbitën e satelitëve të saj Gen2 dhe në fund dëshiron të rrisë numrin e tyre në 29,988 nga 7,500 që aktualisht janë lejuar. Musku e kritikoi ashpër FCC-në për anulimin – në vitin 2022 – të një marrëveshjeje prej gati 900 milionë dollarësh për Starlink-un për të siguruar internet për zonat rurale, pasi u vunë në dyshim premtimet e saj për shpejtësinë dhe besueshmërinë.
Teksa Musku ka intensifikuar mbështetjen e tij për Trump-in, Harrisi ka sulmuar miliarderin, duke përdorur emrin e tij në kërkesat për mbledhje fondesh.
Shoku i saj i fushatës, guvernatori i Minesotës, Tim Walz, në një tubim me punëtorët e sindikatave të Miçiganit, tha se republikanët interesohen vetëm “për miqtë e tyre miliarderë si Elon Musku”.
“Ky është njeriu që dëshiron të jetë cari ynë ekonomik”, tha Walz. “Njeriu që dëshiron të pushojë nga puna punëtorët dhe të shkatërrojë sindikatat? Një njeri që dëshiron të çojë prodhimin e automjeteve në Meksikë dhe ta furnizojë atë me pjesë të prodhuara në Kinë? Flisni me fqinjët dhe miqtë tuaj dhe më thoni nëse dikush në Miçigan mendon se kjo është një ide e mire”.
Një mosmarrëveshje me komisionin bregdetar të Kalifornisë, javën e kaluar, tregoi se si mund të reagojë Musku ndaj humbjes së Trumpit: duke pretenduar motive politike për çdo vendim që bie kundër kompanive të tij.
Paneli i Kalifornisë votoi për të refuzuar një kërkesë nga Forca Hapësinore e ShBA-së, për të rritur numrin e lëshimeve në shtet duke përdorur raketat Falcon 9 të SpaceX-it. Një anëtar i panelit gjithashtu kritikoi Muskun për “shëtitjet nëpër vend duke përhapur … të pavërteta politike”, ndërsa kërkonte kontratat më fitimprurëse qeveritare.
Në përgjigje, SpaceX po padit rregullatorin dhe e akuzoi atë se po përpiqet të “ndëshkojë një kompani për pikëpamjet dhe deklaratat politike të aksionarit të saj më të madh, që është edhe CEO”.
Traina, donatori i Trumpit, beson se betejat e tilla do të vazhdonin gjithashtu edhe në një mandat të dytë të Trumpit. “Impulsi i parë” i Muskut si kreu i departamentit të efikasitetit qeveritar “do të ishte eliminimi i Komisionit Bregdetar të Kalifornisë”. Por, ai shton: “Dyshoj se kjo është e mundur.”
Musku këmbëngul se po vepron vetëm nga brengat që ka për vendin. “Në aspektin politik tani jam aktiv”, tha ai në tubimin e të enjtes, “sepse mendoj se e ardhmja e Amerikës dhe e ardhmja e civilizimit janë në rrezik”. /Telegrafi/