Basri Sejdiu mund të rikthehet në krye të Bordit të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës.
Kjo pritet të ndodhë pasi që Inspektorati i Punës, me vendimin e shkallës së dytë ka hedhur poshtë si të pabazuar ankesën e Bordit Drejtues të SHSKUK-së të bërë ndaj vendimit të shkallës së parë të këtij inspektorati për rikthimin në punës të Basri Sejdiut.
Pas shkarkimit nga pozita e drejtorit të SHSKUK-së, Basri Sejdiu kishte veshur mantelin e bardhë dhe i ishte rikthyer kardiologjisë invazive në QKUK, por është Inspektorati i Punës ai që ka vendosur që Sejdiu duhet të rikthehet në pozitën e drejtorit.
Me vendimin e shkallës së dytë, Inspektorati i ka dhënë tetë ditë afat bordit të SHSKUK-së që ta rikthejnë Sejdiun në pozitën e drejtorit.
“Shkalla e dytë është formë e prerë e ekzekutueshme brenda tetë ditëve dhe nëse nuk ekzekutohet pasojnë gjobat për anëtarët e bordit. Unë shpresoj që është konfirmuar nga të dy shkallët shkelja e ligjit dhe një shkarkim i paligjshëm i cili pati ndodhur në formë të paprecedent pa paralajmërim. Kam qenë takim në qeveri ata kanë marrë një vendim, dhe tani shkalla e dytë i anulon të gjitha vendimet për njollosjen e kësaj pozite gjegjësisht të emrit tim”, deklaroi për RTV Dukagjinin Basri Sejdiu.
Sejdiu tha se brenda javës pret të kthehet në pozitën e drejtorit të SHSKUK-së.
RTV Dukagjini ka kontaktuar ushtruesin e detyrës së drejtorit të SHSKUK-së Valbon Krasniqi i cili ka thënë se për këtë çështje duhet të prononcohet bordi, ndërsa kryesuesi i bordit të SHSKUK-së Xhevat Jakupi nuk i është përgjigjur pyetjeve të televizionit. /RTV Dukagjini/Telegrafi/