E, tashmë Sigal Prishtina ka arritur marrëveshje me organizatoren, Donika Rexhepi, e cila ka ardhur në kryeqytet nga SHBA-ja. Koordinatorja e klubit ‘bardhekaltër’, Elvira Dushku, bëri të ditur se tashmë kanë arritur marrëveshje me Rexhepin. “Kemi arritur marrëveshje me Donikën. E dimë se kemi të bëjmë me një lojtare cilësore dhe shpresojmë që të na ndihmojë në synimet të cilat i kemi”, deklaroi Dushku për Arena.
Nga ana tjetër edhe trajneri i kryeqytetasve, Fidan Shatri, tha se pret që shumë shpejt të shoh aftësitë e lojtares në parket. “Kemi arritur marrëveshje me të, mirëpo mbetet të shihet në parket se për çfarë lojtare bëhet fjalë”, theksoi Shatri.
Të kujtojmë se Sigal Prishtina gjatë afatit kalimtar dimëror është përforcuar edhe me Gentiana Ismailin, Saranda Dacin dhe Irma Konjushën.
Lë New York-un për Prishtinën
Donika Rexhepi, një emër jo i njohur për basketbollin kosovar, la basketbollin amerikan për t’u bashkuar me Sigal Prishtinën. Donika jeton në SHBA, në qytetin e New York-ut dhe ka luajtur për skuadra kolegji në ligën NCAA.
Ajo në një prononcim për Arena ka thënë se arsyeja pse ka vendosur të vazhdojë karrierën e saj në Prishtinë është dashuria për këtë klub. “Arsyeja pse kam vendosur të djersiti fanellën e Sigal Prishtinës është pasi e dua këtë klub”, deklaroi Rexhepi. Ndryshe ajo tha se synimi i saj është të fitojë titullin e kampion me ‘bardhekaltrit’. “Synimi është që me klubin tim të ri Prishtinën, të shpallemi kampion”, përfundoi Rexhepi. /Arena/Telegrafi/