Kastrati të gjitha shpenzimet e udhëtimit i paguan vetë, meqë Federata e Basketbollit e Kosovës thotë se nuk ka mundësi të bëjë këtë.
Kastrati fillimisht i është bashkuar kampit më 5 tetor dhe pasi është përzgjedhur për më tutje, ka të drejtën të bashkohet në grumbullime çdo javë. Por meqë vjen nga një vend i largët, asaj i është mundësuar të vijë çdo dy javë. Njëjtë po vepron edhe Flaka Kelmendi (17), e cila më herët ka qenë pjesë e ekipit U16 të Norvegjisë, shkruan sot kohaditore.
Sikur këto dy basketbolliste po veprojnë edhe disa të tjera brenda Kosovës, që nuk janë nga Prishtina. Ato po paguajnë vetë çdo gjë për të qenë pjesë e grumbullimeve, nga ku besohet se do të ndërtohet ekipi A i Kosovës.
"Do të vazhdoj të vij edhe në grumbullimet e tjera që i kemi, pavarësisht se më duhet të udhëtoj nga Suedia. Këtë e bëj me dëshirën më të madhe, pasi me padurim pres ta vesh fanellën e shtetit tim", ka thënë Kastrati.
Prej 5 tetorit kur është bërë përzgjedhja për ekipet U16 dhe U18, koordinatori për gjeneratat e reja, Chris Dial në bashkëpunim me trajnerët Fidan Shatri, Pal Syla, Valbona Bytyqi dhe Kimete Haliti, çdo vikend organizojnë grumbullime për këto ekipe në Prishtinë.
Aktualisht në të dy ekipet janë nga 25 vajza, të cilat më vonë do të seleksionohen, derisa numri i tyre të bjerë në 12 për garat e divizionit C të kampionatin evropian që pritet të mbahen në verën e vitit të ardhshëm. Në të vërtetë, ky është grumbullimi i parë për femra i këtij niveli në basketboll.