Është hedhur shorti për Kampionatin Evropian për Shtete të Vogla në konkurrencën e femrave. Kosova A (femrat) për herë të parë do të marrë pjesë në garat ndërkombëtare.
Vashat nga Kosova do të jenë në Grupin B së bashku me Qipron, Gjibraltarin dhe Luksemburgun, derisa detajet e ndeshjeve do të publikohen gjatë ditëve në vijim. Në short nga Kosova pjesëmarrës ishte Granit Rugova, Drejtor i Përfaqësueseve të Kosovës.
“Kjo është hera e parë që vashat e Kosovës A do të luajnë në gara zyrtare. Jemi krenarë që po debutojmë edhe me vashat tona në arenën ndërkombëtare. Shpresoj se do të kemi një përfaqësim sa më të mirë në këto gara. Sigurisht se dëshira dhe motivi është i madh te basketbollistet e Kosovës. Ne kemi filluar me grumbullime dhe do të vazhdojmë me stërvitje intensive. Duam që të përgatitemi sa më mirë për debutim”, është shprehur Rugova për faqen zyrtare të FBK-së.
Kampionati do të mbahet në Qipro nga 20 deri më 25 Korrik, ku do të debutojnë vashat dardane.
Në ekipin e Kosovës ka lojtare me përvojë, por edhe të reja që premtojnë shumë për të ardhmen.
Debutimi në arenën ndërkombëtare do të jetë ëndërr e realizuar për shumë basketbolliste, derisa këtë mundësi nuk e kishin shumë lojtare në të kaluarën. Bordi i FBK-së vendosi për formimin e Përfaqësueses A te femrat dhe pjesëmarrjen në garat ndërkombëtare, pasi FBK ju kushton rëndësi basketbollit të femrave dhe masivizimit të basketbollit.