Ende pa filluar takimi, Plisat e Prishtinës kërkuan “takim” jo sportiv me Torcidën e Mitrovicës ,e cila u vu në shënjestër të tentativave fizike të grupit nikoqir. Torcidat u dëbuan dhe kthyen përsëri në sallë. Ky nuk ishte vendimi i parë i çuditshëm i mbrëmjes.
Ndeshja filloi disi ndërsa mitrovicasit të pakënaqur me vendimet e gjyqtarëve vendosën për ta braktisur parketin dhe për t’i dhënë fund kësaj ndeshjeje. Gjyqtari kryesor Hajredin Zeka pas pak dha shenjë për përfundimin e takimit pasi që mysafirët nuk deshën ta vazhdojnë lojën.
Jashtë parketit filloi ‘loja’ për t’i bindur mitrovicasit ta ‘thyejnë’ vendimin e tyre. Nuk kaloi shumë dhe kjo u bë, sikur që edhe gjyqtari Zeka vendimin e tij e ktheu në kujtim të veprimit të mëhershëm që doli të ishte i ngutshëm dhe jo i peshuar mirë.
Në gjithë këtë katrahurë ngatërresash të rregullave dhe të tifozllëkut josportiv, u vendos që loja të vazhdojë dhe për fatin e mirë edhe të përfundojë.
Pak fjalë edhe për lojën në parket – Sigal Prishtina ishte dominuese gjatë gjithë kohës duke dëshmuar se duelin e fitoi me meritë (83-61). Me këtë fitore Sigal Prishtina është shumë afër qëllimit që garat e ‘play-offit’ t’i fillojë nga pozita e parë. /Telegrafi/