Site icon Telegrafi

Basketboll: Dënime në vlerë prej 1450 eurove

Për sjellje josportive në duelin gjysmëfinal ndërmjet Trepçës dhe Sigal Prishtinës janë gjobitur Drilon Hajrizi me 100 euro dhe trajneri turk i Sigal Prishtinës, Ahmet Kandemir, me 150 euro.

Trepça është dënuar edhe me 200 euro për shkak të hedhjes së gjësendeve në parket. Skuadra nikoqire e organizimit, Sigkos Bashkimi, është gjobitur me 350 euro, për shkak të lëshimeve në organizim në ndeshjen gjysmëfinale ndërmjet tyre dhe Pejës, si dhe për sjellje jokorrekte të shikuesve prizrenas.

Pa gjobë nuk ka shpëtuar as Peja, e cila duhet të paguajë 300 euro, për shkak të sjelljeve të tifozëve pejanë. Një gjobë prej 50 euro i është caktuar edhe qendrës së Pejës, Blerim Mazrekut.

Edhe për ndeshje finale janë shqiptuar disa gjoba. Peja është dënuar me 100 euro pasi tifozët e verdhezinjve kanë hedhur gjësende në fushën e lojës. Për të njëjtën arsye Skuadra fituese e Kupës së Kosovës në basketboll, Sigal Prishtina, është gjobitur me 100 euro, kurse edhe 100 të tjera do t’i paguajë si pasojë e ndezjes së fishekzjarrëve në mesin e shikuesve, transmeton Koha.

Të gjitha dënimet e shqiptuara duhet të paguhen deri para fillimit të ndeshjeve të para të Play Off-it, në të kundërtën të dënuarit nuk do të kenë të drejtë loje ose zhvillim të ndeshjes, thuhet në vendimin e komisarit të garave në FBK, Tajar Rifati. /Telegrafi/ 

Exit mobile version