Matthew Seligman, i cili ka performuar me David Bowien në festivalin e njohur muzikor Live Aid (1985), ka ndërruar jetë në moshën 65 vjeçare.
Muzikanti ka vdekur si pasojë e komplikimeve nga coronavirusi, pasi i kishte kaluar dy javë në respirator në një spital në jug të Londrës – shkruan The Guardian.
Seligman u bë i njohur në vitet e tetëdhjeta, ai ishte pjesë e grupeve “The Soft Boys” dhe “The Thompson Twins”, ndërsa ka bashkëpunuar edhe me muzikantin Thomas Dolby.
“Matthew ka dashur që t’i kujtojmë të gjitha momentet e mira që i kemi kaluar me të dhe të organizojmë një ndejë për nder të tij. Të gjithë vdesin, por asnjëri nga ne nuk ka pritur që Matthew të na lë në mënyrë kaq të befasishme”, kanë thënë nga “The Soft Boys”
Edhe pasi ishte shtrirë në spital, Seligman kishte vazhduar të dërgonte mesazhe për veten e tij dhe rastet tjera, si edhe u shprehte mbështetje ekipeve mjekësore. /Telegrafi/