Telegrafi

Bashota kthehet pas intervistimit në Hagë: Më ofruan një marrëveshje që do ta dëmtonte UÇK-në

Ish-Zëvëndëskomandanti i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sokol Bashota, është kthyer sonte në orët e vona në Kosovë, pasi është marrë në pyetje nga Gjykata Speciale në Hagë.

Pas arritjes në aeroportin “Adem Jashari”, Bashota deklaroi për RTK-në se Gjykata Speciale i ka ofruar një marrëveshje e cila potencialisht, sipas tij, do të ishte e favorshme për të në këtë proces, por e dëmshme për procesin në të cilin ka kaluar UÇK-ja.

“Unë isha në Hagë dhe jam intervistuar dy ditë si i dyshuar, dhe jam përgjigjur në pyetjet të cilat kanë qenë të favorshme për mua”, ka thënë Bashota.

Ish numri dy i UÇK-së, theksoi se në Hagë i kishin ofruar një marrëveshje, e cila do ta dëmtonte UÇK-në.

“Por, ajo që më ka shqetësuar mua, një precedent është se atje më është ofruar një marrëveshje e cila do të ishte e favorshme për mua por që do të mund të dëmtonte kauzen e UÇK-së dhe të tjerët”, ka thënë Bashota.

Ai ka thënë se detajet e tjera do t’i shpalosë pas konsultimit me avokatin e tij mbrojtës.