Telegrafi

Bashkohen gratë e bizneseve, themelohet kllasteri “Women in Tech”

Shoqata e Teknologjisë së Informacionit dhe të Komunikimit të Kosovës – STIKK, sot organizoi një takim gjatë të cilit u finalizuan të gjitha detajet dhe edhe zyrtarisht u formua kllasteri i grave në TIK i cili tash e tutje do të njihet me emrin “Women in Tech” apo WIT. Ky kllaster do të ushtroj veprimtarinë e tij nën ombrellën e STIKK dhe në përkrahje të vazhdueshme të shoqatës.

Gjatë takimit të sotëm, ku pjesmarrëse ishin një grup i grave ndërmarrëse që tash e sa vite udhëheqin disa prej kompanive më të suksesshme vendore në sektorin e TIK-ut, u diskutuan dhe u morrën vendimet kyçe lidhur me modelin e veprimtarisë së kllasterit WIT, u përzgjodh vizioni dhe misioni i kllasterit si dhe u përcaktuan disa prej objektivave fillestare të këtij kllasteri.

Vizioni i kllasterit “Women in Tech” u përcaktua të jetë nxitja e pjesmarrjes së plotë të grave ndërmarrëse dhe udhëheqëse të bizneseve me rritje të lartë në sektor, duke nxitur inovacionin dhe duke stimuluar rritjen ekonomike. Ndërsa misioni i WIT do të jetë ti inkurajoj dhe ti mbështes grate në fushën e TIK-ut, përmes promovimit të diversitetit, barazisë dhe përfshirjes në fushën e teknologjisë si dhe të inkurajoj zhvillimin e tyre drejt leadershipit (udhëheqësisë) duke ju ofruar mbështetje strategjike përgjatë karrierës së tyre.

Anëtaret themeluese të kllasterit “Women in Tech” janë: Zana Tabaku (Appdec), Zana Budima (ABS Software Development), Arta Shehu Zaimi (jCoders Academy), Hana Qerimi (Shkolla Digjitale & Starlabs), Donjeta Sahatçiu dhe Rrita Rugova (Rrota), Melita Ymeraga (Melita & Partners), Ilirijana Ibraj (LinkPlus IT) dhe Vjollca Çavolli (STIKK).

Gjatë takimit të sotëm, anëtaret themeluese po ashtu zgjodhën dhe kryetaren e pare të kllasterit “Women in Tech”, znj. Zana Tabaku, themeluese e kompanisë Appdec, e cila do të ushtroj këtë detyrë përgjatë mandatit 2 vjeçar.

Kllasteri “Women in Tech” është në proces të krijimit të identitetit vizual i cili do ta përfaqësoj atë, si dhe përpilimit të planit të punës për pjesën e mbetur të vitit 2021. Te dy këto elemente do të bëhen publike ditëve në vijim.