Është nënshkruar një memorandum mirëkuptimi mes Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës dhe Sindikatës së Bashkuar për Arsim dhe Shkencë, për të ngritur intensitetin e rezultateve sa i përket mbrojtjes së të drejtave dhe mirëqenies së punëtorëve në Republikën e Kosovës.
Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi tha se roli dhe ndikimi në përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve dhe punëtorëve në veçanti, do të marr një rol më të vlerësuar, andaj edhe ky zhvillim i përket nivelit evropian.
Ai shtoi se MPMS mirëpret kthimin sindikatës në këshillin ekonomik social, në mënyrë që të trajtohen të gjitha problemet e punëtorëve në përgjithësi. Sipas Abrashit, kjo pritet të forcohet edhe nga plotësimi i ligjit që do të ndodh këtë vit, pasi që është edhe kërkesë e Bashkimit Evropian.
“Roli dhe ndikimi në përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve dhe punëtorëve në sindikata në përgjithësi tani merr një rol shumë më të lartë, shumë më të vlerësuar dhe kjo tregon zhvillimin e BSPK-së dhe sindikatës së arsimit, një zhvillim i cili i përket dhe i afrohet nivelit evropian. Ne si ministri dhe unë si ministër e mirëpres këtë bashkëpunim e mirëpres kthimin e sindikatës edhe në këshillin ekonomik social aty ku trajtohen të gjitha problemet e të gjitha sindikatave, punëtorëve, punëdhënësve, punëmarrëse edhe mundësitë e qeverisë për një jetë dhe mirëqenie më të mirë. Ne këshillin ekonomik social tentojmë ta përforcojmë përmes plotësim-ndryshimit të ligjit i cili do të ndodhë këtë vit, është edhe kërkesë e Bashkimit Evropian”, tha Abrashi.
Kryetari i BSPK-së, Haxhi Arifi, tha se tashmë sindikatat në Evropë po i bashkojnë forcat në luftimin e padrejtësive, mbrojtjen e të drejtave si dhe përmirësimin e kushteve për punëtorët. Ai tha se përmes këtij memorandum mirëkuptimi, këto dy sindikata do të mundësojnë ngritjen e zërit në mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve në Republikën e Kosovës.
“Dallimet që ne kishim tash e disa vite tanimë janë tejkaluar dhe i jam më shumë se mirënjohës kryetarit të SBASHK-ut Rrahman Jashari dhe udhëheqësisë së SBASHK-ut për angazhimin e tyre të palodhshëm në dialog për arritjen e kësaj marrëveshje apo këtij memorandum mirëkuptimi. Shpresoj se me këtë hap BSPK-ja dhe sindikatat e aprovuara dhe të pavarura në Kosovë, do të forcojnë edhe më shumë pozitën e tyre si faktor relevant kur bëhet fjalë për mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të punëtorëve”, tha Arifi.
Ndërsa, kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, tha se Republika e Kosovës ka nevojë për një zë unik i cili përfaqëson të gjitha sfidat me të cilat përballen punëtorët, andaj edhe pas nënshkrimit të kësaj përpjekjeje të re për ndryshim, presin që edhe federata dhe sindikata të tjera t’i bashkohen kësaj kauze me qëllim të angazhimit maksimal për të ngritur zërin sindikal në vend.
“SBASHK-u e ka parë që moti që Kosovës i duhet një zë më unik e më i fuqishëm sindikal sepse bashkërisht do të përballemi më lehtë me sfidat që në Kosovë nuk janë të pakta. Për të dëshmuar se jemi për forcimin e unitetit mes sindikatave dhe për unifikimin e zërit sindikal sot po nënshkruajmë memorandum mirëkuptimi me BSPK-në, veprim ky që i hap rrugë bashkëpunimit më të afërt dhe unifikimit të federatave në një kulm sindikal. Me nënshkrimin e këtij memorandumi SBASHK-u besoj që po rinis një përpjekje të re që edhe federata e sindikata të policisë edhe federata tjera në emër të një uniteti të fuqishëm të nënshkruajnë memorandume të tilla me BSPK-në dhe të punojnë që ta forcojnë angazhimin dhe zërin sindikal në Kosovës, tha Jasharaj.
Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës dhe Sindikata e Bashkuar për Arsim dhe Shkencë, deri tani kanë funksionuar si të ndara në paraqitjen e kërkesave për përmirësimin e mirëqenies së punëtorëve në Republikën e Kosovës. /Telegrafi/