Telegrafi

Bashkimit Evropian do ta ndihmoj Kosovën për zhvillim ekonomik

Ministri i Financave Avdullah Hoti, ka pritur sot në takim njoftues shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë/Përfaqësues i Posaçëm i BE-së Samuel Zhbogar, ku u diskutua për zhvillimet e përgjithshme ekonomike në vend, për sfidat dhe iniciativat e rëndësishme që e presin gjatë këtij viti Ministrinë e Financave.

Ministri Hoti gjatë takimit e falënderoi z. Zhbogar për punën, kontributin si dhe për bashkëpunimin e vazhdueshëm të Bashkimit Evropian me institucionet e Kosovës, në veçanti me Ministrinë e Financave dhe shprehi bindjen se ky bashkëpunim do të vazhdoj edhe në të ardhmen.

Gjatë takimit Ministri Hoti gjithashtu e njoftoi atë për gjendjen financiare të vendit, përkushtimin e Qeverisë për krijimin e kushteve më të mira për thithjen e investimeve të huaja në Kosovë, si dhe për përkushtimin e Ministrisë së Financave në luftimin e ekonomisë joformale, ku më këtë rast falënderoi Bashkimin Evropian për ndihmën e vazhdueshme që i ka dhënë Kosovës në këtë fushë.

Ndërsa, shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë Samuel Zhbogar duke uruar Ministrin Hoti për pozitën e re, shprehu gatishmërinë e Zyrës së Bashkimit Evropian për të ndihmuar Kosovën në zhvillimin ekonomik dhe në proceset integruese në Bashkimin Evropian.

Po ashtu të enjten ministri Avdullah Hoti ka takuar edhe ambasadoren turke në Kosovë Songul Ozan. /Telegrafi/