A s’është e turpshme që në këto kohëra të turbulencave politoke, të jo gatishmërisë ndërkombëtare (civile e ushtarake), të invadimit politiko-kriminal të Serbisë në veri, të jo-unifikimit politik apo thënë ndryshe të papjekurisë politike të pozitës dhe opozitës në Kosovë, akoma të vazhdojë kjo gjendje kaotike, e trishtuar dhe pa orientim për të ardhmen e Mitrovicës.
A mos duhet ju liderët e tanishëm politikë akoma të luani në role aktorësh, të shtireni “patriotë” në skena parlamentare si në lojëra fëmijësh, në tregime, si gladiatorë në foltore dhe objektivisht të talleni me realitetet që çdo ditë e më shumë po shkojnë në dëm të Kosovës?
Pse nuk jeni në gjendje të uleni për një qëllim, për Mitrovicën, të bashkuar dhe të koordinuar? A nuk do të jeni më të fuqishëm edhe në imponimin e zgjidhjes karshi faktorit ndërkombëtarë?
Populli këtë takim dhe unifikim po e pret dhe ua keni obligim që sa më parë ta bëni. Merrni guximin moral, vullnetin politik dhe lërini anash inatet mes njëri-tjetri dhe bashkohuni, diskutoni si vëllezër dhe merrni vendim bashkërisht për Mitrovicën e mos u tallni si injorantë dhe të pa kulturë.
Ç’po ndodhë me, tregojini popullit? Çfarë ore e ligë ju ka zënë, në çfarë mëkati keni rënë?
Mitrovica do të ketë zgjidhje vetëm kur ju të jeni të unifikuar e të bashkuar. Mos lejoni që masa qytetare të eskalojë dhe atëherë të mbeteni gojëhapur dhe të padëgjuar.
Çfarë duhet të ndodhë më shumë se të dhunohen institucionet e sigurisë (uniforma e përmbysur për toke), të terrorizohen dhe humbin jetë qytetarët, e ju të pangopurit pas pushtetit dhe përfitimit akoma të mos keni vendosmërinë – jo me dhunë por me “mjete të tjera” – të ndërroni realitetin në Veri.
Këtë s’do të mund ta bëni përderisa nuk do të jeni të bashkuar. Duke ta mbështetni njëri-tjetrin, duke dëgjuar dhe respektuar, duke sugjeruar dhe duke ofruar ide, mendime dhe rrugë që përkojnë me frymën e zgjidhjeve demokratike. E nëse nuk e keni vetëdijen politike që ta bëni këtë, tregojuni popullit përse?
Bashkohuni për Mitrovicën deri sa nuk është bërë vonë dhe të mos ketë dobi më as tentimi për dakordim mes jush. Edhe pse ndoshta më vonë do ta kuptoni rëndësinë e kësaj thirrjeje, por atëherë mund të bashkoheni vetëm në cilësinë “Postmortum Mitrovica” dhe s’do mend se do hyni të gjithë pa përjashtim si njerëzit më të ligë dhe qyqarë që do të shënojë historia.
Tregohuni vigjilent, dilni nga egot personale dhe bashkohuni, rikthejuni vlerave nacionale dhe takohuni, shtrëngojani dorën njëri-tjetrit dhe bashkohuni për Mitrovicën e bashkuar. Bëjeni këtë sot, përpara se të pendoheni nesër!
Është koha e fundit të reflektoni qartësisht, të unifikuar në kohën vendimtare për Mitrovicën. Veproni menjëherë, përpara se të tjerët të kenë përmbyllur skenarët dhe misionin e tyre. E ju pastaj përsëri do të fyeni, përbuzni e paragjykoni njëri-tjetrin për tradhti. Por, në fakt të gjithë do të gjykoheni me një vendim të njëjtë.