Site icon Telegrafi

Bashkimi shënon fitore ndaj Vëllaznimit në Prizren

Bashkimi ka shënuar fitore ndaj Vëllaznimit me rezultat 78:64 (13:20, 26:15, 22:13, 17:16), në përballjen e Rrafshit të Dukagjinit, që u zhvillua në kuadër të javës së 16-të të Prince Caffe Superligës.

Gjashtë minutat e parë të ndeshjes ishin të barabartë, por më pas mysafirët u shkëputën, duke fituar çerekun e parë 13:20. Prizrenasit nuk u dorëzuan dhe u rikthyen shpejt në periudhën e dytë, përmbysur shifrat, ku përfunduan pjesën e parë në të mirë të tyre, 39:35.

Vendasit vazhduan me lojë të mirë dhe në periodën e tretë ngritën epërsinë në 14 pikë, 49:35, kurse shifrat pas 30 minutash ishin 61:48. Në dhjetë minutat e fundit u zhvillua lojë më e barabartë, megjithatë, vendasit nuk lejuan që tu rrezikohet fitorja dhe kështu ndodhi, duke triumfuar në fund 78:64.

Më i miri te Bashkimi ishte Erik Copes me 23 pikë e shtatë kërcime, kurse te Vëllaznimi më i miri ishte Samuel Sessoms me 18 pikë, pesë kërcime dhe shtatë asistime.

Portokallezinjtë kanë pesë fitore e 11 humbje, kurse kuqezinjtë shtatë fitore e nëntë humbje./Telegrafi/

Exit mobile version