Telegrafi

Bashkimi, lider i Superligës së Kosovës në basketboll

Bashkimi ka shënuar fitoren e radhës në kuadër të IP Superligës së Kosovës në basketboll.

Prizrenasit kanë triumfuar para shikuesve të vetë në palestrën “Sezai Surroi” kundër Trepçës me rezultat 84-63.

“Arpagjik’t” gjatë gjithë ndeshjes treguan lojë të bukur në sulm dhe mbrojtje efikase, e cila gjë i solli fitoren e dytë nën drejtimin e trajnerit grek, Fotis Takianos.

Çereku i parë për vendasit ishte i suksesshëm pasi që e përfunduan me tetë pikë epërsi, 24:16.

Periudha e dytë iu takoi mysafirëve, të cilët arritën të zvogëlonin disavantazhin në 40:37.

Por, dhjetë minutshi i tretë ishte më i mirë për Bashkimin pasi që këtë çerek e përfunduan me 12 pikë epërsi, 23:11.

Në çerekun e fundit vendasit arritën të ruanin avantazhin dhe kështu, ndeshja përfundoi me rezultat 84-63.

Adrian Motley ishte basketbollisti më efikas me 23 pikë ndërsa te Eric Williams u tregua më i miri te “minatorët” 24 sosh.

Pas kësaj, Bashkimi zë pozitën e parë të renditjes tabelore me 12 pikë ndërsa Trepça mbetet në vendin e shtatë me tetë pikë. /Telegrafi/