Telegrafi

Bashkimi kalon në finale të Ligës Ballkanike, takohet me Levski Lukoil

Skuadra nga Prizreni, Bashkimi të shtunën në Samokov të Bullgarisë e ka siguruar një vend në finalen e madhe të Sigal Uniqa Ligës Ballkanike (BIBL).

Kjo është një e arritur e madhe, jo vetëm për klubin prizrenas që shkroi historinë duke u bërë pjesë e Final Four-it të BIBL pas tri vjet pjesëmarrje në këtë garë, por edhe për basketbollin kosovar në përgjithësi.

Bashkimi në gjysmëfinale ka triumfuar ndaj ekipit bullgar, Rilski Sportist në një fund mjaft dramatik me rezultat 72-71 (24:14, 10:21, 25:20, 13:16).

Më të dalluarit në radhët e skuadrës nga Prizreni ishin Aaron Moss me 19 pikë, nëntë kërcime e katër asistime, Vincent Zollo me 15 pikë e nëntë kërcime, Mikaile Tmusic me 11 pikë e katër kërcime dhe Eric Stutz me 13 pikë e shtatë kërcime.

Në anën tjetër te Rilski Sportist më efikasit ishin Zlatin Georgiev me 18 pikë e nëntë kërcime dhe Yordan Bozov me 17 pikë e katër kërcime.

Ndërkohë në gjysmëfinalen tjetër të luajtur po të shtunën, fitore ka regjistruar ekipi Levski Lukoil kundër Blokotehna-NB me shifrat 85-81.

Finalja e madhe e Ligës Ballkanike ndërmjet Bashkimit dhe Levski Lukoil do të zhvillohet të dielën, njëjtë sikur edhe ndeshja për vend të tretë.