Prizrenasit e motivuar për ‘hakmarrje’ e filluan më mirë ndeshjen duke e përfunduar çerekun e parë me 11 pikë epërsi, 25-14, duke i befasuar kështu të gjithë ata që po e përcillnin këtë përballje.
Vendasit vazhduan kontrollimin e lojës edhe në çerekun e dytë teksa e ngritën epërsinë në 12 pikë, 49-37, në fund të pjesë së parë.
Edhe pse në çerekun e tretë pritej një reagim nga lojtarët e Pejës, kjo gjë nuk ndodhi pasi që prizrenasit kishin vendosur të mos lejojnë asnjë befasi sonte. Ata e mbajtën epërsinë edhe në çerekun e tretë dhe e rritën epërsinë edhe më shumë, 77-62.
Në çerekun e katërt Peja sërish bëri përpjekje për t’u kthyer në lojë, mirëpo vendasit gëzonin një epërsi të madhe nga çerekët e mëparshëm dhe nuk lejuan ta humbin këtë ndeshje para shikuesve të vet. Ndeshja përfundoi me rezultat përfundimtar, 99-86.
Lojtari më i mirë i ndeshjes padyshim se ishte Darell Lampley i Bashkimit me 32 pikë, ndërsa te Peja më së shumti u dallua Samir Shaptahu me 27 pikë. /Telegrafi/