Bashkimi ka shënuar fitore ndaj Trepçës në ‘Minatori’ me rezultat 91:95 (23:28, 23:26, 22:19, 23:22), në kuadër të javës së tetë të Prince Caffe Superligës së Kosovës në basketboll.
Bashkimi e nisi ndeshjen më mirë, me një seri prej 12:0, derisa epërsinë më të lartë në çerekun e parë e kishte 2:16, kurse ky dhjetëminutësh përfundon 23:28. Vendasit arrijnë të ngushtojnë shifrat në tre pikë, megjithatë, prizrenasit sërish shkëputen, duke shkuar në pushim me rezultat 46:54.
Mysafirët vazhduan me lojë të mirë edhe në periodën e tretë, duke pasur epërsi deri në 13 pikë, 52:65, por vendasit arrijnë të ngushtojnë shifrat, derisa rezultati në semafor pas 30 minutash ishte 68:73. Trepça nuk dorëzohet dhe afron rezultatin në 91:93, duke e bërë ndeshjen shumë dramatike, por Bashkimi nuk lëshoi pe në fund dhe triumfoi 91:95.
Te Trepça u dalluan Tramaine Isabell me 19 pikë e gjashtë kërcime dhe Burim Zekiqi me 17 pikë, kurse te Bashkimi më të mirët ishin Sean Hoehn me 36 pikë, Musab Mala me 24 pikë, Shaq Carter me 14 pikë e 16 kërcime dhe Julian Hamati me 10 pikë e 14 kërcime.
Trepça ka dy fitore dhe gjashtë humbje, kurse Bashkimi tre fitore dhe pesë humbje. /Telegrafi/