Sot, Kryeministri, Albin Kurti, Ambasadori i BE-së në Kosovë, Aivo Orav, Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, Përfaqësuesi i Përhershëm i UNDP-së, Nuno Queirós dhe mysafirë të tjerë, vizituan Panairin e Janjevës.
Panairi synoi të festonte identitetin kulturor të fshatit duke ofruar një platformë për artizanët dhe prodhuesit lokalë që të ekspozojnë punën e tyre.
Me rreth 30 pjesëmarrës, ngjarja përfshiu zanate, produkte artizanale, kuzhinë lokale dhe produkte bylmetore, duke mirëpritur sipërmarrësit dhe bizneset e reja.
Ngjarja kishte për qëllim të nxirrte në pah zanatet unike dhe traditat kulinare të Janjevës, të mbështeste zhvillimin ekonomik lokal dhe të forconte lidhjet e komunitetit, dhe krenarinë për kulturën vendase.
Pas prezentimit zyrtar të një prej shumë shtëpive të rehabilituara dhe të renovuara, dhe vëzhgimit të restaurimeve të shtëpive të tjera dhe punimeve infrastrukturore, mysafirët u takuan me banorët e Janjevës.
Gjatë vizitës në Janjevë, Kryeministri Albin Kurti pati mundësinë të ishte dëshmitar i progresit, të angazhohej me komunitetin lokal dhe të shihte zbukurimin e shtëpive të vjetra të renovuara për qëllime turistike.
“Të investosh në këto shtëpi është një investim në të ardhmen, si dhe në aftësitë sipërmarrëse të këtyre njerëzve krijues para nesh. Të gjitha këto ndodhin kur ne bashkohemi me partnerët tanë ndërkombëtarë”, deklaroi Kurti.
Ambasadori i BE-së në Kosovë, Aivo Orav, tha se ky projekt i mbështetur nga BE-ja është i dizajnuar për të fuqizuar iniciativat lokale, për të nxitur rritjen ekonomike dhe për të ruajtur identitetin kulturor që e bën Janjevën kaq unike.
“Ndërsa festojmë progresin që kemi bërë së bashku, gjithashtu pranojmë se rruga përpara është po aq e rëndësishme. Mbështetja e vazhdueshme për Janjevën është thelbësore për ta shndërruar atë në një destinacion turistik në ngritje,” tha Ambasadori Orav.
Përfaqësuesi i Përhershëm i UNDP-së, Nuno Queirós, riafirmoi përkushtimin e UNDP-së për fuqizimin e diversitetit kulturor dhe ruajtjen e tij:
“Panairi i sotëm nuk është thjesht një ngjarje, por një festë e pasurisë kulturore dhe unitetit. Ai ofron një platformë për artizanët dhe prodhuesit lokalë që të ekspozojnë punën e tyre të jashtëzakonshme dhe forcon lidhjet brenda komunitetit. Dua të përgëzoj të gjithë pjesëmarrësit e panairit për përkushtimin dhe krijimtarinë tuaj. Nga zanatet artizanale deri te ushqimet e shijshme lokale, të gjithë po shfaqni më të mirën që kjo komunitet ka për të ofruar.”