Bashkimi Evropian do të autorizojë një kontratë të mërkurën për sigurimin e 300 milionë doza të vaksinës së zhvilluar nga Pfizer dhe BioNTech, njoftoi presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
“Pasi kjo vaksinë të jetë në dispozicion, plani ynë është ta shpërndajmë atë shpejt, kudo në Evropë”, tha ajo në një deklaratë të martën.
“Kjo do të jetë kontrata e katërt me një kompani farmaceutike për blerjen e vaksinave. Edhe shume të tjera do të arrihen. Ne duhet të kemi një portofol të gjerë të vaksinave bazuar në teknologji të ndryshme”, theksoi von der Leyen.
Njoftimi i BE-së vjen pasi kompania Pfizer njoftoi të hënën se rezultatet e hershme treguan se vaksina e tyre eksperimentale kundër coronavirusit rezultoi 90 për qind efektive, shkruan CNN, përcjell Telegrafi.
“Kjo është vaksina më premtuese deri më tani. Një vasinë e sigurt dhe efektive është shansi ynë më i mirë për ta mposhtur coronavirusin dhe për t’u kthyer në jetën tonë normale”, tha mes tjerash presidentja e Komisionit Evropian. /Telegrafi/