Site icon Telegrafi

Bashkimi ende nuk e ka zgjedhur problemin me kryesinë

Shpejti beson në tejkalimin e situatës

Ndonëse deri në fillim të kampionatit ka edhe mjaft kohë, situata e krijuar kërkon zgjidhje më të shpejtë, pasi pa definimin e saj është e pamundur të fillohet mobilizimi për edicionin e ri. Kryetari i zgjedhur nga Kuvendi i majit, Arsim Shpejti, beson se gjërat do të sqarohen shpejt. “Aktualisht situata është e njëjtë me atë që ishte pas mbajtjes së Kuvendit. Ende nuk ka asgjë konkrete, por kjo gjendje nuk mund të vazhdojë gjatë”, ka thënë Shpejti për Arenën. Ai insiston se Kuvendi ka qenë plotësisht i rregullt, prandaj beson që gjithçka do të sqarohet në mënyrën më të mirë. “Kuvendi është thirrur dhe mbajtur në përputhje me statutin e klubit. Kanë qenë të ftuar të gjithë, përfshirë edhe Federatën e Basketbollit të Kosovës dhe Komunën e Prizrenit”, ka shtuar Shpejti. Pikërisht Kuvendi Komunal mund të japë një ndihmë rreth tejkalimit të kësaj situate, por deri tani nuk ka asgjë konkrete. “Ne do të takohemi me zyrtarët e Komunës dhe do të shohim qëndrimin e tyre. Po ashtu do të konfirmojmë nëse letra që pala tjetër e paraqiti në Kuvendin e Punës së FBK-së ishte vërtet e lëshuar nga Komuna apo jo”, është shprehur Arsim Shpejti.

Ibri: Ne e njohim vetëm ligjshmërinë

Për zyrtarët e Drejtoratit për Sport në Komunën e Prizrenit, situata është e qartë. Aktualisht ata e njohin kryesinë aktuale në krye me kryetarin Shaqir Totaj. Koordinatori për sport, Lulzim Ibri, thotë se Komuna e njeh vetëm ligjshmërinë. “Qëndrimi ynë është i qartë. Nuk mund ta njohim kryesinë që ka dalë nga Kuvendi në të cilin nuk ka marrë pjesë askush nga FBK-ja dhe Kuvendi i Komunës. Tash për tash e njohim kryesinë aktuale dhe kryetarin Shaqir Totaj”, ka thënë Ibri. Ai ka thënë se gjërat mund të ndryshojnë, por në këtë moment situata është e qartë. “Ne nuk kemi asnjë preferencë dhe as kundërshtim me askënd. Nëse më vonë mbahet një Kuvend tjetër, por i mirëfilltë, pa marrë parasysh kush do të fitojë, ne do ta përkrahim atë kryesi që del prej tij”, ka theksuar Shpejti. Ai e ka përjashtuar mundësinë që Komuna të ndërmjetësojë në “pajtimin” ndërmjet dy palëve. “Ne nuk ndërhyjmë në politikat e asnjë klubi, prandaj nuk kemi arsye të ndërhyjmë as në këtë rast”, ka thënë Shpejti në fund. /Tribuna/Telegrafi/ 

Exit mobile version