Telegrafi

Bashkimi e pret Trepçën, mitrovicasit pa shpresë për playoff

Dueli që supozohet të jetë kryesori i kësaj jave, mes Bashkimit dhe Trepçës pritet të ketë gjithçka pos hijes së një derbi.

Tashmë dihet se tifozët “Arpagjikët” janë në protestë ndaj KB Bashkimit dhe kryetarit të klubit Shaqir Totaj, i cili nuk la futjen e një përfaqësuesi të tifozëve në bordin e klubit.

Agonia në Prizren vazhdon edhe më tutje pas humbjes në finalen e Kupës së Kosovës ku për tri pikë klubi prizrenas humbi ndaj Prishtinës.

Finalja e Kupës së Kosovës u pa si mundësi e madhe për të sjellë trofe në Prizren për herë të parë pas vitit 2001 dhe tash të gjitha shpresat janë në kampionat.

Bashkimi e ka të sigurtë vendin e dytë dhe Trepça udhëton vetëm formalisht në Prizren pasi pritet një fitore e radhës nga vendasit.

Këtu shtohet fakti se Trepça ka larguar të gjithë lojtarët amerikanë dhe pritet të vazhdojë sezonin me vendorët duke u përgatitur për sezonin e ri fuqishëm ku mitrovicasit do të kërkojnë fitimin e titullit.

Sfida do të zhvillohet të dielën nga ora 19:00 në Prizren. /Telegrafi/