Me një komunikatë të lëshuar nga “Portokallinjtë”, shprehet reagim ndaj një grupi personash, të cilët e kanë mbajtur një Kuvend, i cili vlerësohet i pabazë.
“Këto ditë në Prizren është shfaqur një grup personash, të cilët me veprime jo legjitime po përpiqen që ta dezinformojnë opinionin sportdashës në Prizren lidhur me zhvillimet në KB Bashkimi. Pa dashur të spekulojmë mbi interesat dhe motivet e tyre, duhet të konstatojmë se në mënyrë tërësisht të paligjshme dhe pa gëzuar kurrfarë legjitimiteti këta persona pretendojnë të kenë organizuar Kuvendin e Klubit dhe të kenë zgjedhur organet e reja drejtuese të tij.
Në këtë ‘kuvend’, të thirrur nga persona që nuk janë anëtarë të klubit (sipas statutit) e që nuk kanë qenë kontribues në funksionimin e klubit për shumë vite (e disa madje kurrë!), që nuk kanë madje kurrfarë lidhje me të duke qenë përfaqësues të klubeve tjera sportive (!) e shkollave të basketbollit, nuk ka marrë pjesë Kryetari i KB Bashkimi, asnjë anëtar i Bordit të KB Bashkimi, asnjë zyrtar i komunës së Prizrenit dhe asnjë përfaqësues i Federatës së Basketbollit të Kosovës”, thuhet në kumtesë. /Tribuna/Telegrafi/