Prizrenasit e përkrahur nga Arpaxhikët e flaktë e nisën më mirë çerekun e parë dhe e përfunduan me gjashtë pikë epërsi, 23-17. Prishtina çerekun e dytë e morri më seriozisht dhe luajtën dukshëm më mirë, duke e shkrirë kështu epërsinë në vetëm një pikë, 40-39.
Në çerekun e tretë pamë një Prishtinë krejt tjetër, atë të vjetrën me lojë të shpejtë e mbrojtje të fortë, e cila ia humbi busullën Bashkimit krejtësisht. Bardhekaltërit më në fund dolën në epërsi, 55-60.
Çereku i katërt ishte tejet dramatik, i cili u përcoll me një atmosferë impozante nga tifozët e pranishëm në sallë. Për vendasit gjithçka shkoi mirë, ndërsa Prishtinës i humbi rruga në oborr, duke bërë gabime të njëpasnjëshme. Prizrenasit i shfrytëzuan shumë mirë këto gabime dhe arritën ta kthejnë epërsinë për ta përmbyllur këtë ndeshje spektakolare me katër pikë dallim, 83-79.
Më i miri i ndeshjes padyshim se ishte Kejuan Johnson i Bashkimit me 27 pikë, i ndjekur nga Rokas Uzas (18), Dawson (17), Hasani (16). Për Prishtinën më së shumti pikë shënoi Akida McLain (18), teksa u dallua edhe Granit Rugova me 17 pikë.
Kjo njëherit ishte edhe një fitore historike e Bashkimit ndaj Prishtinës, pasi që nuk i kishin mposhtur kryeqytetasit që nga maji i vitit 2009.
Rezultatet e xhiros së 19-të:
Trepça : RTV 21 72 – 90
Sigkos Bashkimi : Sigal Prishtina 83 – 79
Vëllaznimi : Peja 46 – 83
Drita : Kosova 102 – 83
/Telegrafi/