Prizrenasit e kanë filluar furishëm ndeshjen, ndërsa qysh në çerekun e parë treguan se synim të vetëm kanë fitoren.
Dhjetëminutëshi i parë përfundoi me barazim, pasi të dyja skuadrat shënuan nga 20 pikë.
Në çerekun e dytë vendasit krijuan epërsi prej pesë pikëve, 21:16, ku u dallua fundori Bussey.
Në çerekun e tretë mysafirët tentuan të rikthehen në lojë dhe ia dolën duke e përfunduar këtë çerek me 17:16.
Ashtu si në çerekun e dytë ‘portokallinjtë’ luajtën bukur dhe mençur edhe në të fundit ku e mbyllën me 25:20 dhe kështu arritën fitoren e parë në Evropë ndaj Pejës me rezultat të përgjithshëm 82-73.
Fundori Theron Bussey ishte koshashënuesi më i mirë i Bashkimit me 31 pikë të shënuara, ndërsa me lojë të mirë u dallua edhe Granit Rugova me 17 dhe Gerti Shima me 16.
Te pejanët më efikasi në ndeshje ishte amerikani Ronald Davis me 23 pikë të shënuara, i ndihmuar edhe nga Nenad Delic me 22 pikë dhe Drilon Hajrizi me 15, por që këto pikë nuk mjaftuan për t’ia siguruar Pejës fitorën e parë këtë edicion në Ligën Ballkanike. /Telegrafi/