Opozita prej rreth një ore ka nisur protestën e radhës para Bashkisë së Tiranës, duke kërkuar sërish dorëheqjen e Erion Veliajt, të cilin e akuzojnë si të lidhur me skemën korruptive “5D”, për të cilën ndodhen pas hekurave disa ish-zyrtarë të institucionit.
Qëllimi i tubimit mbetet i njëjtë me 7 protestat e shkuara, ku simbolikat dhe thirrjet nga Partia Demokratike e Rithemelimit dhe Partia e Lirisë janë kundër Veliajt.
Dhjetëra qytetarë ndodhen në sheshin para bashkisë, ndërsa policia është mobilizuar maksimalisht.
Gardhi prej çeliku që qëndron mes kordonit të policisë dhe protestuesve është sofistikuar, pasi janë vendosur blloqe betoni për të penguar shkuljen e tij si në herët e kaluara.
Protesta ka agravuar në momentin kur nga Bashkia u ndërpre energjia elektrike që nxori foninë jashtë funksionit.
Organizatorët vijuan aksionin me ndihmën e një gjeneratori dhe në momentin kur aktori Mehdi Malkja shprehu shqetësimin e tij për martesën homoseksuale që u bekua më 19 Maj në tarracën e bashkisë së kryeqytetit, disa prej qytetarëve hodhën molotov në drejtim të derës kryesore të institucionit. /Telegrafi/