Site icon Telegrafi

Bashkia e Shkupit për transportin publik: Interesat partiake janë taktikë e shumicës në Këshill

Bashkia e Shkupit ka dalë me reagim pas konferencës së djeshme për media të transportuesve privatë, të cilët thanë se do ta ndërpresin qarkullimin.

Nga Bashkia thonë se “është evidente se politika joparimore, interesat personale dhe prioritetet partiake janë ende taktika e shumicës në Këshillin e Qytetit të Shkupit të udhëhequr nga koalicioni OBRM-PDUKM”.

“Transportuesit privatë kanë reduktuar qarkullimin për shkak të revoltës për mosshqyrtimin e iniciativës së tyre, për të cilën mund të debatohet dhe të vendosë vetëm Këshilli i Qytetit të Shkupit. Ata para disa muajsh i kanë dorëzuar kryetarit të Këshillit të Qytetit të Shkupit, Trajko Sllaveski, një kërkesë, e cila sipas Rregullores së Këshillit të Qytetit të Shkupit, është dashur të shqyrtohet menjëherë pa vonesë nga këshilltarët në Këshill”.

“Taktika e shumicës në Këshill është të krijojë pakënaqësi dhe të shkaktojë kaos për qytetarët e qytetit të Shkupit, duke penguar blerjen e autobusëve të rinj ekologjik dhe tentativën për të rrënuar transportin publik duke mos paguar borxhin ndaj NTP-së prej 8 milionë euro që i ka Qeveria për transportin e studentëve dhe standardin studentor”, thonë nga Qyteti i Shkupit dhe apelojnë nga Trajko Sllaveski, që menjëherë të vendosë iniciativën për kërkesën e transportuesve privatë për shqyrtim para këshilltarëve për të zhbllokuar këtë segment të transportit publik në kryeqytet.

Exit mobile version