Site icon Telegrafi

Bashkia e Shkupit: Komuna e Sarajit të veprojë në pajtim me ligjet për platformat joligjore në Matkë

Bashkia e Shkupit sot i ka bërë thirrje Komunës së Sarajit që të veprojë në pajtim me kompetencat ligjore lidhur me platformat joligjore në Matkë.

“Bashkia e Shkupit e inkurajon Komunën e Sarajit që të veprojë në pajtim me kompetencat e veta ligjore kur janë në pyetje ndërtimet joligjore. Në të vërtetë, nuk ka interes më të madh as për qytetarët e Shkupit, as për qytetarët e Sarajit sesa sundimi i së drejtës, barazia para ligjeve dhe funksionimi i tërësishëm i institucioneve”, deklaroi zëdhënësi i Bashkisë së Shkupit, Valon Saliu.

Ai tha se vitin e kaluar Bashkia së bashku me UNDP-në dhe Ministrinë e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor kanë përpunuar modele ligjore, me të cilat do të mbrohet Matka në kuptimin ekologjik dhe ekonomik.

Nga ana tjetër, sot kryetari i Komunës së Sarajit, Blerim Bexheti deklaroi se komuna nuk do t’i legalizojë platformat joligjore në Matkë, por se nuk mund as t’i rrënojë, pasi kanë kërkesa për legalizim./Telegrafi/

Lexo po ashtu Bexheti: Nuk do t’i legalizojmë platformat në Matkë, por as nuk do t’i rrënojmë
Exit mobile version