Kryetari i qytetit të Shkupit Koce Trajanovski ka pranuar se janë bërë lëshime gjatë miratimit të vendimit për ndarjen e linjave mes autobusëve privat dhe atyre të Ndërmarrja Qarkulluese Publike-Shkup. Gjatë seancës së Këshillit të qytetit, Trajanovski pranoi se do të merren në shqyrtim të gjitha ankesat dhe sugjerimet e qytetarëve për të rikthyer sërish në qarkullim autobusët e NQP-së, posaçërisht në linjat 9 dhe 19.
“Janë bërë lëshime, konstatuam se janë bërë lëshime. Më vjen keq që kjo u konstatua pasi transportuesit privat filluan me punë. Gjithashtu më vjen shumë keq përse këtë nuk e konstatuam gjatë dy seancave të kaluara të këshillit kur u miratua orari i vozitjes. Kemi formuar një grup që punon në NQP bashkë me transportuesit privat që në ato linja të qarkullojnë edhe autobusët e NQP-së”, deklaroi Koce Trajanovski, kryetar i Bashkisë së Shkupit.
Gjatë debatit, këshilltarët shqiptarë dhe romë thanë se vendimi për heqjen e autobusëve të NQP-së është diskriminues. Ata madje kërkuan shpeshtimin e orarit të vozitjeve në linjat 12 dhe 47, në Saraj dhe Luboten.
Propozim ndryshimet e grupit të këshilltarëve shqiptarë dhe romë i mbështetën edhe këshilltarët maqedonas. Ndërkohë drejtori i NQP-së Shkup, Igor Janushev edhe një herë përsëriti se heqja e autobusëve shtetëror në linjat 9 dhe 19 është bërë me vendim të këshillit të Qytetit të Shkupi që para 1 viti e gjysmë. Sipas tij, ndarja e linjave kishte të bëj me atë që transportuesit privat të respektojnë orarin e vozitjeve dhe mos të aktivizohen vetëm gjatë periudhës kur ka shumë udhëtarë./Telegrafi/