Site icon Telegrafi

Bashkëvendasit e Thaçit dhe Veselit konfirmimin e aktakuzave e përjetojnë rëndë

Përkundër që vendlindjet e Hashim Thaçit e Kadri Veselit ishin të qeta, familjarë dhe bashkëfshatarë të tyre e patën të vështirë ta pranonin shkuarjen në Hagë të tyre. Ata u shprehën se është e papranueshme ajo që po ndodhë me ish-ushtarët e UÇK-së.

Përkundër që vendlindja e Hashim Thaçit, Buroja ishte e kapluar nga heshtja, konfirmimi i aktakuzës ndaj tij i zhgënjeu banorët e këtij fshati. Milazim Thaçi thotë se ai është simbol i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Kjo është një padrejtësi e madhe që po i bëhet Kosovës, pasi Presidenti Thaçi ka qenë UÇK dhe ka luftuar për vendin dhe atdheun e vet. Ai nuk ka shkuar në Serbi për të luftuar por ka mbrojtur vetëm tokat shqiptare. Për këtë arsye jemi ndjerë shumë keq, shumë rëndë këtë lajm të zi”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Milazim Thaçi, përcjell Telegrafi.

Heshtje më shumë se kurrë kishte edhe Broboniqi, vendlindja e Kadri Veselit. Banorët e këtij fshati ishin të indinjuar me veprimin e Speciales. Njëri nga ta tha se është e papranueshme ajo çka po ndodh me ushtarët e UÇK-së.

“Dëgjova një lajm shumë pikëllues për Kadri Veselin që bashkë me shokët u nis për në Hagë. Fshati e njeh atë si njeri të urtë dhe të sinqertë, i cili rininë e tij ja ka kushtuar këtij vendi që të jetojnë të lirë dhe të qetë. Fshati është shumë i brengosur që është thirrur Kadri Veseli. Ai nuk e ka merituar  të thirret për asnjë minutë sepse ka luftuar për vendin e vet.

Pasditen e sotme, ish-presidenti Hashim Thaci, ish-kreu I PDK-së Kadri Veseli dhe shefi i grupit parlamentar Rexhep Selimi, u nisën drejt Hagës./RTV Dukagjini/Telegrafi/

Exit mobile version