Telegrafi

Bashkësia ndërkombëtare është gati për njohjen e pavarësisë së Kosovës

Sipas kësaj gazete, NATO-ja dhe Bashkimi Evropian, po përgatiten për gjendjen e pas 10 dhjetorit kur përfundojnë bisedimet shtesë, Prishtinë – Beograd, me ndërmjetësimin e treshes ndërkombëtare, dhe kur pritet që Kosova ta shpallë pavarësinë e saj, në mungesë të gjetjes së një zgjidhjeje të kompromisit.

“Der-Tagesspiegel” shkruan se janë vetëm dy vende të BE-së që ende janë kundër njohjes së pavarësisë së Kosovës, Qiproja greke dhe vetë Greqia. Supozohet se këto dy vende janë kundër pavarësisë së Kosovës me frikën se kjo do të mund të përdorej edhe për rastin e Qipros turke. Ndërkohë, edhe dy vendet tjera që kanë qenë hezituese në këtë çështje, Spanja dhe Sllovakia, janë pajtuar që ta njohin pavarësinë e Kosovës.

Përkundër të gjithave, mësohet se presidenca portugeze e BE-së, vlerëson se në momentin e vendosjes së statusit, të 27 vendet e BE-së do të jenë unike në qëndrimin e tyre për njohjen e pavarësisë së Kosovës.