Site icon Telegrafi

Bashkësia Islame e Turqisë financon 12 gra ligjëruese në xhamitë e Kosovës (Video)

Dhjetëra gra myslimane në Kosovë mbajnë ligjërata mësim-besimi nëpër xhami dhe 12 prej tyre paguhen nga Bashkësia Islame e Turqisë.

Predikimi i fesë edhe nga vajzat e vogla, nga njohës të çështjeve të religjionit konsiderohet si shkelje e të drejtave të tyre.

Për çdo fundjavë, Bardha Kçiku – Luma nga Kaçaniku mban ligjëratë në Xhaminë e Dëshmorëve në lagjen e re të këtij qyteti.

Rolin e ligjërueses së fesë islame ajo e ushtron qe pesë vjet dhe thotë se është shumë e privilegjuar që shërben për besimtarët e fesë islame.

Siç raporton Radio Evropa e Lirë, në xhaminë e lagjes së re të Kaçanikut, vajzat dhe gratë e Kaçanikut me koka të mbuluara me shami marrin mësime nga Kurani me ndihmën e Bardhës, e cila thotë se këtë punë e bën vullnetarisht, derisa merr një pagesë simbolike vetëm gjatë Ramazanit.

Qëllimi i këtyre ligjëratave, sipas ligjërueses, është që gratë e Kaçanikut të mësojnë për dashurinë ndaj Zotit.

“Prej moshave më të vogla, me fëmijët që janë nëpër shkolla dhe vazhdon edhe me gratë ose edhe me mosha më të vjetra. Nuk e kemi të caktuar dhe të gjithë ata që kanë dëshirë të vijnë në xhami dhe të mësojnë diçka për fenë dhe Allahun, qoftë edhe mësime të tjera, që kanë të bëjnë me jetën e përditshme të njeriut, janë të mirëseardhur në këtë xhami”, tha Bardha, përcjell Telegrafi.

Mosha e vajzave dhe grave që ndjekin ligjëratat në xhami është nga 9 deri në 60 vjeç.

Gratë që vijnë në këtë xhami e që numri i tyre nuk është I vogël, thonë se janë shumë të kënaqura me ligjëratat.

“Unë qe pesë vite kam filli të vij në ligjërata në xhami. Jam shumë e kënaqur që po mblidhemi me të gjitha ato gra”, thotë një grua që ndjek ligjëratat.

Në Bashkësinë Islame të Kosovës (BIK) thonë se ligjërueset e rregullta paguhen prej buxhetit të Këshillave të BIK-ut, derisa 12 ligjëruese paguhen nga Bashkësia Islame e Turqisë.

Sociologu, Ismail Hasani, thotë se vajzat e vogla nuk mund të shkojnë në xhami, pasi përmbajtja e ligjëratave ua cenon të drejtat e  tyre dhe nuk janë konform moshës që kanë.

“Ky është një cenim i të drejtave të fëmijëve”, tha sociologu Hasani. /Telegrafi/

Exit mobile version