Bashkësia Islame e Kosovës (BIK) për çdo festë të Fitër Bajramit dhe Kurban Bajramit organizon pritje për krerët institucionalë, por kësaj radhe pandemia COVID-19, ka ndikuar që të anulojë këtë pritje tradicionale.
Këtë lajm e ka bërë të ditur sekretari i BIK-ut, Ahmet Sadriu.
“Me rastin e Festës së Fitër Bajramit nuk do të ketë pritje në BIK, për shkak të pandemisë COVID-19. Do të respektojmë rekomandimet e IKSHPK-së dhe masat e Ministrisë së Shëndetësisë”, ka thënë Sadriu për kp.
Përveç pritjes nuk do të ketë as falje të organizuar të Fitër Bajramit, ndërsa edhe xhamitë do të vazhdojnë të jenë të mbyllura.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka kërkuar mirëkuptimin e të gjithë besimtarëve, duke thënë se grumbullimi në vende publike përbën ende rrezik për shëndetin qytetarë.