Bashkëshortja e kryeministri kanadez, Justin Trudeau, Sophie Grégoire Trudeau, ka rezultuar pozitive në testin e coronavirusit dhe si rezultat i kësaj që të dy, ditët e ardhshme do t’i kalojnë në vetëizolim, ka bërë të ditur kabineti i tij.
Në kumtesë thuhet se kryeministri kanadez është mirë dhe se nuk ka simptoma të virusit, por ka vendosur me këshillën e mjekëve të vetëizolohet për 14 ditë, transmeton Telegrafi.
“Gjithashtu me këshillat e mjekëve, ai në këtë fazë nuk do të testohet pasi që nuk ka simptoma të virusit. Për të njëjtën arsye, mjekët thonë se nuk ka ndonjë rrezik për ata që së fundmi kanë qenë me ta në kontakt”, thuhet ndër tjera në kumtesë.
Trudeau qysh dje ka vendosur të vetëizolohet dhe të vazhdojë punën nga shtëpia. Ndërkaq gruaja e tij që më herët kishte simptoma të lehta të ngjashme me ato të gripit, pas kthimit nga Londra ka rezultuar të jetë pozitive në testet e coronavirusit.
Gjithashtu thuhet se pavarësisht që ka rezultuar pozitive në teste, gjendja e saj shëndetësore për momentin është e mirë. /Telegrafi/