Telegrafi

Bashkërisht për të mbajtur gjallë ekonominë globale

Banka Qendrore e Shteteve të Bashkuara, Rezerva Federale, njoftoi se do të hedhë në tregje rreth 180 miliardë dollarë në një hap të bashkërenduar me bankat qendrore në Kanada, Britani, Japoni, Zvicër si dhe Bankën Qendrore Evropiane.

Ky hap ndërmeret, ndërkohë që çmimet e aksioneve ranë sot ndjeshëm. Indeksi Nikei i Tokios u mbyll me humbje prej mbi 2 për qind, ndërkohë që indeksi Hang Seng i Hong Kongut ra deri në 7 për qind në orët e para të mbasdite.

Trazirat financiare po ndikojnë edhe tek çmimet e naftës, i cili në Singapor ra në 96 dollarë për fuçi.

Ndërhyrja masive e qeverisë amerikane dje për të marrë nën kontroll kompaninë më të madhe të sigurimeve në botë, Grupit Ndërkombëtar Amerikan, nuk e ka zbutur shqetësimin e investitorëve ndërsa bankat hezitojnë të japin hua.

Pavarësisht se administrata e Presidentit Bush i dha një hua emergjente prej 85 miliardë dollarësh Grupit Ndërkombëtar Amerikan, AIG, treguesit kryesorë të bursës në Shtetet e Bashkuara ranë.

Edhe çmimet e aksioneve evropiane ranë rreth 2 për qind.

Një tjetër institucion financiar amerikan i goditur nga humbjet për shkak të mospagimit të huave, Washington Mutual, njoftohet se ofron të shitet, duke e rënduar edhe më tej gjendjen e pasigurisë në tregjet financiare amerikane.

Sipas lajmeve të mbrëmshme, kandidatë për blerjen e kësaj banke janë Citigroup dhe Wells Fargo. Analistët thonë se kriza e kredive do t’i detyrojë huadhënësit më të dobët të pranojnë të blihen nga rivalët e tyre më të fuqishëm, prandaj edhe shitja e Washington Mutual nuk është e papritur.