Site icon Telegrafi

Bashkëpunimi ekonomik Kosovë-Shqipëri, një ëndërr në letër

Pavarësisht se janë nënshkruar shumë marrëveshje për të lehtësuar bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar në mes të Shqipërisë dhe Kosovës, një gjë e tillë nuk është arritur, as pas gati 19 vjet të çlirimit të Kosovës, e 10 vjet të pavarësimit. Kjo nuk është arritur përkundër pse janë investuar miliarda euro në përmirësimin e infrastrukturës rrugore nga të dyja vendet.

Bizneset nga Shqipëria brenda një viti eksportojnë produkte në Kosovë, në vlerë prej mbi 150 milionë euro, kurse shuma e eksporteve të bizneseve nga Kosova për në Shqipëri është vetëm 35 milionë euro. Një disbalanc kaq i madh tregtar ka ngritur zërat që kërkojnë që shkëmbimet tregtare të përmirësohet.

Po ashtu Shqipëria përfiton shumë nga qytetarët e Kosovës të cilët i kalojën pushimet verore ku për një sezon turistik, harxhojnë në bregdetin shqiptar deri në 400 milionë euro.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu ka thënë për Telegrafin se bashkëpunimin e Kosovës dhe Shqipërisë e pengojnë grupet e caktuara të cilat kanë përkrahje edhe nga politika.

Sipas tij, në Shqipëri më lehtë depërtojnë kompanitë nga Greqia, Italia dhe Serbia sesa kompanitë nga Kosova.

“Si Odë Ekonomike e Kosovës, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave, jemi angazhuar për ta avancuar bashkëpunimin ekonomike me Shqipërinë, por ka qenë e pa mundur mos gatishmëria e palës shqiptare për të qenë partner i denjët për bashkëpunim ekonomik. Në Shqipëri çdo gjë e funksionon në bazë të interesave të grupeve të caktuara dhe këto grupe janë të lidhura me politikën aktuale. Në një shtet ku grupet e caktuar të interesit mbështeten nga politika është e pamundur që të ketë avancim të bashkëpunimit ekonomik”, tha Gërxhaliu.

Këto grupe sipas tij, e pengojnë rritjen e bashkëpunimit, e vështirësojnë edhe depërtimin e bizneseve nga Kosova në Shqipëri.

“Në Shqipëri më lehtë depërton një kompani nga Serbia, Italia e Greqia, sesa një kompani nga Kosova. Duhet të angazhohemi se si t’i bindim bizneset dhe institucionet se edhe kosovarët janë partner tëdenjët për biznes”, tha kryetari i OEK-ut, Safet Gërxhaliu.

Edhe në Klubin e Prodhuesve të Kosovës, kanë thënë se bashkëpunimi ekonomik Kosovë – Shqipëri, nuk është në nivelet e duhura. Sipas tyre, autoritetet në Shqipëri kanë shumë barriera për bizneset nga Kosova.

“Sipas të dhënave në vitin 2017 Shqipëria eksporton në Kosovë mallra në vlerë rreth 150 milionë euro, ndërsa Kosova eksporton në Shqipëri rreth 35 milionë euro. Nga këto të dhëna shihet qartazi se produktet e Shqipërisë janë duke depërtuar shumë më lehtë në tregun e Kosovës sesa produktet e Kosovës në tregun shqiptar”, është thënë në një reagim për media.

Lexo po ashtu Marrëveshjet e nënshkruara në Korçë

Sipas, Klubit të Prodhuesve të Kosovës, tregtarët dhe prodhuesit nga Kosova kanë probleme të shumta që duhen gjetur zgjidhje, në Shqipëri sesa zhvendosja simbolike e pikës doganore në portin e Durrësit, shkruan Telegrafi.

“Probleme këto që kanë të bëjnë me procedurat që aplikohen nga shteti shqiptar për produktet nga Kosova, si pagesa për skaner, mospranimi i certifikatave fitosanitare, kontrollet e gjata dhe të panevojshme produkteve, të cilat shkaktojnë vetëm vonesa dhe rrjedhimisht rritje të kostos. Këto janë problemet reale të cilat po ndikojnë në mosfunksionimin e një tregu të përbashkët”, kanë thënë në Klubin e Prodhuesve të Kosovës.

Kurse në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë (MTI), kanë thënë se i adresojnë shqetësimet e kompanive apo asociacioneve të bizneseve te institucionet relevante të Shqipërisë ku në shume raste çështjet e adresuara kanë rezultuar me zgjidhje. “Në kuadër të Marrëveshjes për Nxitjen dhe Lehtësimin e Tregtisë në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë funksionojnë mekanizma të ndryshëm raportues dhe një numër i çështjeve janë adresuar dhe zgjidhur edhe përmes këtyre mekanizmave respektivisht përmes marrëveshjes”, kanë thënë në MTI.

Sipas kësaj, ministrie disa nga çështjet e adresuar janë në proces të zgjidhjes. “Jemi ne negociata dhe besojmë qe problem të tilla do të gjejnë zgjidhje, mirëpo, nëse vazhdohet të mos gjendet zgjidhje nga autoritetet shqiptare dhe kur të gjitha format e dialogut të jenë shterur atëherë MTI do të shqyrtojë trajtimin e njëjtë kundrejt bizneseve të Shqipërisë, respektivisht trajtim reciprok”, është thënë në përgjigjet e Divizionit për Komunikim Publik të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë.

Ndryshe në vazhdimësi qeveritë që kanë udhëhequr në Kosovë dhe Shqipëri, kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi si dhe për t’i eliminuar barrierat tregtare në mesë të dy vendeve por një gjë e tillë nuk është arritur asnjë herë.

Edhe Qeveria e Kosovës e drejtuar nga Ramush Haradinaj dhe Qeveria e Shqipërisë e udhëhequr nga Edi Rama kanë nënshkruar 12 marrëveshje në mbledhjen e përbashkët të mbajtur në Korçë më 27 nëntor 2017, në mesin e tyre edhe marrëveshja për bashkëpunim ekonomik pa barriera. /Telegrafi/

Exit mobile version