Telegrafi

Bashkëpunim për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve

Ditën e parë si anëtare e Bashkimit Evropian, Kroacia dërgoi mesazhin se do të përkrahë edhe vendet tjera të Ballkanit Perëndimor që sa më shpejtë të bëhen pjesë e familjes evropiane.

Këtë mesazh ua përcolli presidentëve të vendeve të rajonit, Presidenti i Kroacisë Ivo Josipovic në një takim ku shtrënguan duart dhe u ulën në një tryezë edhe Presidentja Atifete Jahjaga dhe Presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikolic, transmeton RTK.

Për presidenten Jahjaga takime të tilla i shpërbejnë relaksimit të raporteve ndërmjet shteteve të rajonit dhe dërgojnë mesazh se edhe pjesa tjetër e shteteve të Ballkanit janë të gatshme për anëtarësim në BE.

Në një deklaratë për RTK-në, Jahjaga komentoi edhe takimin që pati me presidentin serb Nikolic.

Vetë nikoqiri i takimit, presidenti kroat, Ivo Josipovic u shpreh i kënaqur që presidentët e të gjitha vendeve të rajonit iu përgjigjën pozitivisht ftesës për takim të përbashkët.

“Ishte një takim i mirë dhe diskutuam tri çështje. E para Kroacia dhe Sllovenia si anëtare të BE-së do t’i ndihmojnë edhe vendet tjera në këtë proces. E dyta jemi pajtuar për të bashkëpunuar në disa projekte infrastrukturore të përbashkëta rajonale. Dhe e treta jemi pajtuar që të vazhdojmë takimet për të zgjidhur të gjitha çështjet e hapura që janë në mesin e vendeve të rajonit”, theksoi ai.

Presidentet e vendeve të rajonit janë pajtuar që të vazhdojnë me këtë fryme bashkëpunimi në mënyrë që t’i dëshmojnë edhe Bashkimit Evropian se janë të gatshëm për zgjidhjen e të gjitha mosmarrëveshjeve që mund të jenë mes shteteve që aspirojnë anëtarësimin në BE. /Telegrafi/