Telegrafi

Bashkëpunim mundëson zhvillimin ekonomik

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi tha se vetëm përmes bashkëpunimit me nivelin lokal, qeveria mund të realizojë planin e saj për zhvillim ekonomik, me rritje ekonomike deri në 8 për qind dhe zvogëlimin e papunësisë deri në 10 për qind të të papunëve të regjistruar.

Thaçi tha se një ndër përgjegjësitë e qeverisë së nivelit lokal, është edhe krijimi i një ambienti më të favorshëm për zhvillimin ekonomik lokal. “Prandaj, iniciativa për përmirësimin e bashkëpunimit në mes të nivelit qendror dhe atij lokal, do të jetë në funksion të realizimit të vizionit të zhvillimit ekonomik që ka për qëllim rritjen e qëndrueshme ekonomike dhe përmirësimin e standardit jetësor të qytetarëve të Republikës së Kosovës”, theksoi shefi i Qeverisë.

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari Lila tha se suksesi i qeverisjes qendrore, nuk mund të jetë i plotë pa bashkëpunimin e nivelit lokal. Sipas saj nevojitet një vijë e qartë komunikimi ndërmjet këtyre dy niveleve.

Ministrja e Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku, kërkoi nga zyrtarët komunalë që të bëjnë më shumë në riintegrimin e personave të riatdhesuar.

Ndryshe, në takim u prezantuan edhe procedurat e thjeshtësuara për të bërë biznes dhe reflektimin e tyre në qeverisjen lokale, pastaj baza e të dhënave të lokacioneve dhe projekteve për investitorët e rinj. /Telegrafi/