Telegrafi

Bashkëlojtarët ndihmojnë Arben Beqirin: Deri më tani janë mbledhur mbi 12 mijë euro

Më 27 janar 2020, Visar Zogiani, kryetar i Shoqatës për Mbrojtjen e të Drejtave të Futbollistëve të Kosovës, dhe Behar Maliqi, anëtar i Bordit të saj, vizituan Arben Beqirin, portierin e Trepçës 89’, i diagnostifikuar kohë më parë me tumor në lukth.

Përveç dëshirës që kishim për ta takuar, ne me këtë vizitë e informuam Arbenin për mjetet e grumbulluara financiare dhe ia dorëzuam gjithsej 12,007.25 €.

Mjetet financiare iu transferuan përmes xhirollogarisë bankare.

Këto mjete u mblodhën nga shumë futbollistë të klubeve të Superliges së Kosovës, FFK-së, kryetarit të FFK-së Agim Ademit, Bakir Burrit dhe nga shumë njerëz të tjerë të vullnetit të mirë dhe humanitarë.

Arbeni shprehu mirënjohje të thellë për këtë përkrahje, dhe falënderoi nga zemra secilin kontribuues.

Tani, Shoqata për Mbrojtjen e të Drejtave të Futbollistëve të Kosovës, me këtë rast dëshirojmë t’iu njoftojmë se përkrahja për Arbenin nuk duhet ndaluar, dhe iu informojmë se xhirollogaria të cilën kemi vënë në dispozicion është ende e hapur dhe duam përzemërsisht ta përsërisim e vazhdojmë ftesën me kërkesën te të gjithë ata njerëz, që për shkaqe të ndryshme nuk kanë mundur apo nuk kanë arritur ta ndihmojnë Arbenin në këtë sfidë të rëndë shëndetësore, ta bëjnë këtë gjatë ditëve të ardhshme, pasi që çdo e hyrë financiare për të është e nevojshme dhe tejet lehtësuese.

Duke iu falënderuar edhe njëherë, ju dëshirojmë të gjithëve shëndet të mirë dhe mbetemi në kontakt!”, ka shkruar Shoqata për mbrojtjen e futbollistëve. /Zëri.info