Bashkëlojtarët e Mason Greenwood në Manchester United thuhet se janë ‘të shokuar dhe të tmerruar’ pas arrestimit të sulmuesit anglez.
20-vjeçari u arrestua nën dyshimin për përdhunim dhe sulm fizik të dielën pasi një grua (ish e dashura) pretendoi se ishte sulmuar në një seri fotografish, një video dhe një regjistrim audio të postuar në profilin e saj Instagram.
Të mërkurën talenti anglez është liruar me kusht në pritje të hetimeve të mëtejshme, pasi kaloi tre ditë në burg.
Manchester Unitedi ka lëshuar dy deklarata, të dyja duke dënuar dhunën pasi e pezulluan atë nga stërvitjet dhe ndeshjet deri në një njoftim të dytë.
Sipas mediumit Daily Mail, shokët e skuadrës së Greenwood janë ‘të shokuar dhe të tmerruar’ nga ajo që u shfaq në mediat sociale.
“Të gjithë janë shumë të tronditur. Kjo është shumë e ndryshme nga gjërat normale me të cilat duhet të merren”, i ka thënë një burim gazetës.
Të martën, Unitedi konfirmoi se lojtari nuk do të përfshihej në stërvitje ose të luante me ekipin deri në njoftimin e mëtejshëm.
“Manchester United përsërit dënimin e tij të fortë të dhunës së çdo lloji”.
“Siç është komunikuar më parë, Mason Greenwood nuk do të stërvitet me klubin, apo të luajë për të, deri në njoftimin e mëtejshëm”, thuhet në deklaratë.
Fanellat e Greenwood janë hequr nga faqja zyrtare e klubit, ndërsa Nike ka pezulluar marrëdhënien e tyre me lojtarin pas skandalit të publikuar.
Ai gjithashtu është hequr nga video lojërat e FIFA 22 nga EA Sports.
Këtë sezon, Greenwood ka luajtur 24 ndeshje në të gjitha garat – duke shënuar gjashtë gola, teksa i fundi erdhi në fitoren 3-1 të skuadrës së tij ndaj Brentford muajin e kaluar. /Telegrafi/