Site icon Telegrafi

“Bashkëfajtor për ‘mbulimin’ e rasteve të coronavirusit në Kinë” – Bolton dhe zyrtarë të tjerë amerikanë kërkojnë dorëheqjen e shefit të OBSH-së

Ish-Këshilltari i Sigurisë Kombëtare, John Bolton, iu bashkohet thirrjeve për dorëheqjen e drejtorit të përgjithshëm të Organizatës Botërore të Shëndetit, Tedros Adhanom Ghebreyesus, pasi ky i fundit është quajtur “bashkëfajtor për mbulimin masiv të rasteve nga coronavirusi në Kinë”.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, shefi i OBSH-së ka marrë kritika të mëdha edhe nga dy senatorët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke vënë madje në dyshim udhëheqjen e tij në krye të organizatës.

“OBSH është bashkëpunëtor i ‘mbulimit’ masiv të rasteve nga coronavirusi në Kinë”, shkroi në Twitter, Bolton.

“Kjo është arsyeja pse unë i mbështes përpjekjet e senatorit Marco Rubio, dhe të Ted Cruz, për dorëheqjen e drejtorit të përgjithshëm, Ghebreyesus”, ka shkruar ai më tej.

Ndërkohë, senatori i Floridës, Marco Rubio dhe ai i Teksasit, Ted Cruz, janë dy politikanët amerikanë që i kanë bërë thirrje liderit të OBSH-së, të përballet me përgjegjësitë për mënyrën e menaxhimit të pandemisë.

“Sapo kjo pandemi të jetë nën kontroll, lidershipi i OBSH-së duhet të mbajë përgjegjësi, përfshirë edhe drejtorin e përgjithshëm Tedros Adhanom Ghebreyesus, i cili ka lejuar Pekinin të përdorë organizatën për të mashtruar komunitetin global”, tha Rubio.

“Në këtë moment, Ghebreyesus nuk është i aftë të jetë në krye të organizatës. Asnjë e mirë nuk vjen në të ardhmen nëse ai është në krye në këtë gjendje kritike”, ka shtuar ai.

Ndërkaq, zëdhënësi i senatorit, Ted Cruz ka deklaruar se OBSH duhet të konsiderojë heqjen e kreut të tyre.

“Senatori Cruz beson se OBSH ka humbur besueshmërinë, ndërsa kërkohet urgjentisht një rivlerësim i lidershipit të tyre”, ka thënë ai. /Telegrafi/

 

 

 

 

Exit mobile version