Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka ftuar qytetarët e kryeqytetit dhe gjithë Kosovës që t’i bashkohen ceremonisë së ndezjes së dritave dekorative, duke shënuar fillimin e sezonit festiv.
Ngjarja do të mbahet sot, në ora 18:00, në sheshin e qytetit.
“Qytetarë të Prishtinës dhe të gjithë Kosovës, merrni fëmijët tuaj dhe ejani sonte në shesh. Bashkë do t’i japim dritë dhe shkëlqim kryeqytetit tonë të dashur,” ka shkruar Rama në thirrjen e tij publike.
Ky aktivitet simbolik synon jo vetëm të zbukurojë Prishtinën për festat, por edhe të bashkojë komunitetin në një atmosferë gëzimi dhe solidariteti për këtë periudhë të veçantë të vitit. /Telegrafi/