Site icon Telegrafi

Bashkë me stinën e dimrit rikthehet edhe ajri i ndotur në Prishtinë

Përkundër që aktivitet ekonomike janë kufizuar mjaftë shumë në kryeqytet, matësit e cilësisë së ajrit tregojnë për ndotje të ajrit, për çka edhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka këshilluar që personat e ndjeshëm dhe me sëmundje kronike të qëndrojnë në shtëpi. Ekspertët e sëmundjeve kronike bëjnë thirrje të respektohen thirrjet e IKSHKP-së, ndërkohë sipas matjeve nga Instituti Hidrometeorologjik të Kosovës, ajri i ndotur edhe këtë vit do të jetë në kryeqendër.

Specialisti i matjes së cilësisë së ajrit nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, Shkumbin Shala, thotë se sipas të dhënave edhe ky dimër pritet të na përcjellë me ajër të ndotur.

“Këtë vit vërehet një ulje e parametrave të ndotjes, por jo ndonjë ndryshim i madh në krahasim me vitet tjera. Deri më tani janë regjistruar 38 ditë me tejkalim të pluhurit PM10, derisa standardi e lejon vetëm 35 ditë gjatë vitit kalendarik të ketë tejkalim të pluhurit apo grimcave PM10”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Shkumbin Shala.

E pulmologu Besim Morina veçon disa nga sëmundjet kronike që mund edhe të shkaktojnë komplikime nëse personat që janë të prekur me to thithin ajrin e ndotur, përcjell Telegrafi.

“Duhet pasur parasysh se janë të prekura jashtëzakonisht moshat e vjetra sidomos personat që kanë sëmundje kronike të mushkërive. Pra njerëzit që kanë sëmundje kronike si astma, bronkiti apo sëmundje tjera, janë veçanërisht të ndikuar nga kjo ndotje e ambientit”, deklaroi  pulmologu Besim Morina.

Ndërkohë nënkryetari i Komunës së Prishtinës Selim Pacolli ka porositur që të mos përdoret thëngjilli përndryshe do të detyrohen ta konfiskojnë.

“E vetmja gjë që ne mund të bëjmë është të bëjmë thirrje për makinat që të mos futen në brendësi të Prishtinës dhe të kenë kujdes në lëndë djegëse. Pra sa më pak të përdoret thëngjilli pasi do të jemi të detyruar ta konfiskojmë atë”, deklaroi Selim Pacolli.

RTV Dukagjini ka pyetur edhe Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit se çfarë planesh kanë lidhur me këtë çështje, mirëpo këta të fundit nuk u përgjigjën.

Ndërkohë edhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik për shkak të ajrit të ndotur ka bërë thirrje ne veçanti për personat me sëmundje kronike të reduktojnë daljet jashtë./RTV Dukagjini/Telegrafi/

Exit mobile version