Kërkimet për dy policët e zhdukur janë duke u zhvilluar përgjatë tërë rrjedhës së lumit Lepanci nga vendi i aksidentit.
Përveç Policisë, Zjarrfikësve dhe FSK-së, në gjetjen e tyre, tanimë është angazhuar edhe KFOR-i.
Që prej momentit kur autoritetet kanë marrë lajmin për aksidentin e tyre, të gjitha njësitë përgjegjëse janë duke kërkuar trupat e të dy policëve.
Ndërsa sot gjatë ditës në vend të ngjarjes kanë qenë ministri i punëve të brendshme, Bejtush Gashi, ushtruesi detyrës së drejtorit të Policisë së Kosovës, Naim Rexha.
Mbrëmë dy policët M.D. dhe A.T. janë rrokullisur në magjistralen Kaçanik-Hani i Elezit, me veturë zyrtare, prej ku trupat e tyre janë zhdukur.
Aksioni për kërkimin e tyre po vazhdon edhe sot, pasi që mbrëmë kërkimet për t’i gjetur trupat e tyre janë zhvilluar deri vonë.
Agim Gashi, zëdhënës i Policisë për Rajonin e Ferizajt,ka thënë për Telegrafin, nuk e ka përjashtuar mundësinë që trupat e policëve të jenë bartur nga uji, drejt Maqedonisë.
“Sipas vëllimit të ujit të rrëmbyeshëm në Lepenc, ka gjasa që trupat të mund të janë bartur në territorin e Maqedonisë. Gjithashtu, ne jemi në kontakt me autoritetet maqedonase lidhur me këtë”, ka thënë Gashi. /Telegrafi/